E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Procesi s`ka përfunduar, palët të vetëpërmbahen

Kreu i shtetit Bamir Topi i ka bërë apel palëve që të presin qetësisht përfundimin e procesit zgjedhor ndërsa ka theksuar se mbështet Kolegjin Zgjedhor për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e presidentit Mimoza Koçiu ka sqaruar edhe takimin mes kreut të shtetit dhe ambasadorëve Arvizu, Sekui dhe Volfart.
“Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë process” theksoi zëdhënësja.

Sipas saj edhe ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu, të tre Ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend.
“Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit! Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike. Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar!” ka theksuar Topi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›