E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Tadiç; Replika në Athinë për manastiret e Kosovës



Tempujt fetare të Kosovës bëhen shkak për një përplasje në Athinë mes Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi dhe atij të Serbisë, Boris Tadiç.

Gjatë seancës së djeshme të Samitit Kulturor për Ballkanin që po zhvillohet në Athinë, të dy presidentët replikuan për çështjen e manastireve të Kosovës. Replika erdhi menjëherë pasi Presidenti serb, Boris Tadiç, deklaroi se shqiptarët e Kosovës janë përgjegjës për shkatërrimin e manastireve në 1999-2004. Pas kësaj deklarate, reagoi menjëherë Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili kërkoi distancimin e shtetit serb nga e kaluara e hidhur e luftërave ballkanike. Topi insistoi që të lihet mënjanë e kaluara e dhunshme në Ballkan e të mos kujtohen me luftërat, por t’i kushtohet rëndësi së ardhmes evropiane. “Ballkani, i cili ka vuajtur jo pak nga mendësitë e vjetra, luftërat dhe konfliktet ndëretnike, duhet patjetër të largohet përfundimisht nga mendësitë ultra-nacionaliste dhe nga erërat e luftërave ndëretnike dhe ndërfetare, duke u projektuar i tëri drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimit të një bashkëpunimi ekonomik të qëndrueshëm”, - u shpreh z. Bamir Topi. Me ndërhyrjen e tij, kryetari i shtetit shqiptar i kujtoi homologut serb se “axhenda e Samitit të Athinës vendos qartësisht në zemër të debatit rëndësinë e dialogut kulturor, si një element që sot për sot, merr një rëndësi kapitale e të pamohueshme për ndërtimin e zgjidhjeve afatgjata të paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe kohezionit social në mbarë Evropën Juglindore. Sipas z. Topi, Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Ndërkohë, kultura dhe pasuritë e vlerat historike të rajonit tonë nuk janë ndërtuar në një ditë, apo në një vit, por janë ngritur përgjatë shekujve dhe janë pjesë e pasurisë së përbashkët e vendeve dhe popujve të rajonit tonë. Gjatë fjalimit të tij në samitin e krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, Topi, bëri të ditur se Shqipëria u është bashkuar këtyre takimeve, me qëllimin fisnik për të përqendruar përpjekjet e përbashkëta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërkulturor dhe konsolidimit të mëtejshëm të urave të miqësisë mes vendeve e popujve të Evropës Juglindore. Në sesionin e parë plenar të samitit të shtatë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore mbajtën fjalën dhe kryetari i Presidencës së Bosnjë–Hercegovinës, Haris Silajxhiç, Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov, Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Punimet e Samitit të Athinës organizohen nën kujdestarinë e Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias dhe drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura, dhe kanë temë kryesore diskutimin rreth “Pikëtakimeve ndërkulturore të rrugëlundrimeve në det, lumë dhe liqen të Evropës Juglindore”, - bëri të ditur të premten zyra e shtypit e Presidencës.

Topi nënshkruan deklaratën e Samitit të Athinës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit shqiptar në Samitin e Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore nënshkroi dje në emër të Shqipërisë Deklaratën e Samitit të Athinës. Pas një vizite në Muzeun e Akropolisit, takimeve informale me homologë si Presidenti grek, Papulias, ai kroat, Mesiç, Presidenti bullgar, Parvanov dhe Presidentin e Serbisë, Tadiç, Presidenti Topi mori pjesë në seancën e dytë plenare të Samitit, ku u miratua unanimisht Deklarata e Athinës dhe u ra dakord nga presidentët e shteteve dhe krerët e delegacioneve të tjerë që samiti i vitit të ardhshëm mbi “Shumëllojshmërinë e kulturave dhe promovimin e turizmit” do të zhvillohet në Mal të Zi në vitin 2009. “Mendoj që e ardhmja e këtyre marrëdhënieve të vendeve të Evropës Juglindore do të jetë patjetër në kontekstin e integrimit që të gjitha vendet e rajonit tonë synojnë ta realizojnë në institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe organizma të tjera, të cilët ofrojnë mundësitë në këtë botë globale për njerëzit dhe kulturat të mos ndjehen të izoluara, por të komunikojnë me njëri-tjetrin në funksion të ruajtjes së vlerave individuale dhe atyre botërore”, - u shpreh z. Topi.