Celibashi: Votim me postë për emigrantët
Ilirjan Celibashi, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbështet votimin me postë për emigrantët shqiptarë. Gjatë një takimi të organizuar nga “G99”, Celibashi foli mbi alternativat e mundshme të votës së emigrantëve dhe cilësoi alternativën e votimit me postë si opsionin më funksional. Celibashi shpjegoi se zgjidhjet teknike ekzistojnë, ashtu si dhe ekziston interesi nga ana e emigrantëve dhe konsensusi i gjerë që ata ta kenë këtë të drejtë, ndaj mbetet që të gjendet vullneti politik. Erion Veliaj ritheksoi rëndësinë që ka vullneti politik në konkretizimin e kësaj nisme, që synon të integrojë politikisht emigrantët, që janë një faktor vendimtar i jetës ekonomike dhe shoqërore të vendit. Pjesëmarrësit në takim theksuan nevojën për të bashkërenduar përpjekjet deri tani të shkëputura të shoqërisë civile me të gjithë aktorët e interesuar në këtë nismë, në mënyrë që aksioni të ketë sukses.