E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, Topalli, Berisha takime me KiE



Negociatat për zgjidhjen e krizës politike kanë marrë një dimension të ri me ardhjen e misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga presidenti i Asamblesë Parlamentare Mevlut Cavusolgu.
Që herët në mëngjes misioni i Asamblesë Parlamentare ka filluar takimet me krerët e shtetit shqiptar dhe faktorët kryesorë politikë në vend, për të gjetur një zgjidhje që i jep fund bojkotit të opozitës ndaj parlamentit dhe kthen normalitetin në jetën politike.
Takimet e delegacionit të Këshillit të Evropës kanë qenë kryesisht informuese , për të qartësuar pozicionin e maxhorancës dhe opozitës, por edhe për të dëgjuar propozimet e Presidentit të Republikës për çështjet që mund të sigurojne kompromisin mes paleve. Edhe në njoftimin zyrtar të Presidencës, theksohet se gjatë takimit mes misionit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe kreut të shtetit Topi, janë shkëmbyer mendime rreth mundësive të gjetjes së pikëtakimeve mes mazhorancës dhe opozitës dhe zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik.
Gjithashtu gjatë këtij takimi Presidenti Topi ka deklaruar se ekziston një vullnet politik për zgjidhjen e situatës; duke theksuar se bazë për dialogun janë pikat e veçanta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KiE.
Ndërkohë që kreu i asamblesë parlamentare të KiE, Cavusoglu, gjatë takimit ka vlerësuar se kreu i shtetit Topi është njeriu i parë në Shqipëri që ka zbatuar rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës.
Pas takimit në Presidencë, misioni i Asamblesë Parlamentare të KiE është njohur me qendrimin dhe vullnetin e maxhoranceës në një takim të zhvilluar me kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli.
Gjatë këtij takimi kryeparlamentarja Topalli ka informuar misionin e KiE për përpjekjet institucionale për të komunikuar me çdo deputet të opozitës, duke i ftuar ata të respektojnë Kushtetutën dhe mandatin që i ka dhënë populli; duke e cilësuar bojkotin si një mohim të demokracise.
Gjithashtu gjatë këtij takimi Topalli ka shprehur gadishmërinë e maxhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet, i cili mund të funksionojë vetëm në zbatim të Kushtetutës.
Gadishmëria e maxhorancës për hetimin e zgjedhjeve brenda kornizës kushtetuese i është shprehur misionit të Asamblesë Parlamentare të KiE edhe gjatë takimit që ata zhvilluan me kryeministrin Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›