E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Topalli më kërkoi të ndërhyja te Prokuroria për 21 janarin

10/02/2011  Këshilli i Sigurimit, Presidenti shprehet se nuk ishte arsye për ta mbledhur

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur dje se Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar që të ndërhyjë pranë Prokurorisë në lidhje me hetimet e 21 janarit. I pyetur në lidhje me atë çka deklaroi Zonja Topalli një ditë më parë gjatë dëshmisë së saj në komisionin hetimor, Topi la të kuptohej se ka qenë pikërisht kërkesa që i është bërë Presidentit të Republikës për të ndërhyrë në një institucion tjetër të pavarur. “Kam kthyer një përgjigje në sensin figurativ do ju thosha, të kopsitur nga pikëpamja ligjore, se Presidenti do të akuzohej nëse do të ndërhynte, se sipas kuadrit kushtetues, neneve të caktuara të saj, Presidentit nuk i lejohet të ndërhyjë në asnjë lloj institucioni për çështje konkrete”, - deklaroi Topi. Ndërkohë gjatë konferencës Topi është pyetur dhe në lidhje me mosthirrjen nga ana e tij e Këshillit të Sigurimit më datën 21 janar. Presidenti u shpreh se ngjarja e 21 janarit në këndvështrimin e tij ska qenë aq serioze sa të kërkohej mbledhja e Këshillit të Sigurimit, siç ndodhi në rastin e Gërdecit. “Nëse është thirrur ose jo në momente të veçanta, Këshilli i Sigurimit Kombëtar thirret atëherë kur vërtet gjërat duhet të jenë për tu analizuar, për të gjetur pikërisht atë që nuk ka funksionuar si duhet dhe për të vazhduar në mënyrë shumë korrekte punën e institucioneve. Kështu që unë mendoj se jemi plotësisht në detyrimet tona kushtetuese dhe institucionale, se të gjitha institucionet, sikurse thashë, janë në punën e tyre. Mënyra se si e shprehin pastaj është çështje e secilit institucion”, - tha Presidenti i Republikës. Ndërkohë për sa i përket mosparaqitjes së tij në komisionin hetimor të ngritur për ngjarjet e 21 janarit Presidenti nuk tha asgjë më shumë se këshilltari i tij Spiro Peçi disa ditë më parë, kur justifikoi mungesën e tij në seancën përkatëse.

Akuzat e Berishës

“Presidenti ska komunikuar me kryeministrin më 21 janar”

Akuzave të bëra nga kryeministri Berisha, i cili shprehet se më 21 janar, kur selia e Kryeministrisë ishte rrethuar për rreth 5 orë nga protestuesit, “kreu i shtetit ska komunikuar me kryeministrin”, Presidenti Topi tha se “jam deklaruar në mënyrë të qartë edhe ditën e 21 janarit nëpërmjet një deklarate publike, e cila, për fat të keq, ishte e vetmja në ato çaste të vështira”. Një deklaratë kjo që vërteton se dy institucionet nuk kanë bashkëpunuar ditën e 21 janarit. Ndërkaq Topi iu referua deklaratës së bërë një ditë para protestës së organizuar nga opozita. “Mbrëmjen e datës 20 janar, duke shfrytëzuar një komunikim me trupin diplomatik në Pallatin e Brigadave, duke parë një tension politik krejtësisht të papranueshëm, jam shkëputur nga leximi i fjalimit dhe kam thënë këto fraza, që vlejnë shumë”- tha Presidenti Topi.

Letra

Kryeparlamentarja Topalli para dy ditësh në komisionin hetimor për 21 janarin foli vetëm për një pjesë të shkurtër të korrespondencës mes dy krerëve të shtetit. Ajo tha se kishte komunikuar më datën 22 janar me kreun e shtetit e nxitur nga deklarata e tij një ditë më parë, ku ai e kishte quajtur sulmin e Kryeministrisë një “ngjarje në bulevard”. “Përgjigjja e tij se “për arsye të konfidencialitetit nuk mund ta them para kamerave, ishte në fakt një mospranim i tij për detyrën dhe postin që mban”, - u shpreh Topalli para se gazetarët e kamerat të linin mbledhjen e komisionit. Pas kësaj kërkese kryetari i komisionit, Eduart Halimi, ka kërkuar marrjen e pjesës tjetër të dëshmisë pa praninë e medieve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›