E Diel, 1 Nëntor 2026

“Topi i artë”, të martën zbulohet legjenda numër 53Edhe pse jo zyrtarisht, Kristiano Ronaldo konsiderohet fituesi i tij. Në garë për podiumin e nderit janë edhe Lionel Mesi e Fernando Torres

Shpallja e fituesit të “Topit të artë 2008”, do t’i shtojë një tjetër emër panteonit të legjendave, të cilët janë kurorëzuar si futbollisti më i mirë Europian i vitit. Madje ky çmim konsiderohet edhe si më prestigjioz në raport me atë që jep FIFA, për “Lojtarin më të mirë në botë”, apo i njohur “FIFA Wolrd Best Player”.

Trofeu jepet nga gazeta popullore sportive franceze “France Football”, ndërkohë që idea ishte e kryeredaktorit të saj, Gabriel Hanot. Ai u kërkoi kolegëve në të gjithë Europën të votonin për lojtarin më të mirë të vitit 1956 e kështu “Golden Ball” – apo “Topi i artë” – u lind.

Në listën e këtij viti portugezi Kristiano Ronaldo konsiderohet si më favoriti për të pasuar Kakanë, ky i fundit ishte edhe fituesi i vitit të kaluar. Ylli i Mançesterit është në garë me argjentinasin e Barcelonës, Lionel Mesi dhe spanjollin e Liverpulit, Fernando Torres.

Kush do të fitojë?

Për të njohur zyrtarisht fituesi e vitit 2008 kanë mbetur edhe pak orë. Pasi shënoi 42 gola për Mançester Junaidtin dhe e udhëhoqi atë në fitimin e Premier Ligës e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar, Kristiano Ronaldo është dukshëm favoriti kryesor. Argjentinasi Lionel Mesi është sfiduesi i tij më i afërt, por paraqitja e mjerueshme e Barçës gjatë sezonit të kaluar mund t’i kushtojë atij. Spanja fitoi Kampionatin Europian të vitit 2008, ndërkohë që sulmuesi Fernando Torres, mesfushori Çavi dhe portieri Iker Kasijas besohen se janë në pesëshen e parë. Gjithsesi, identiteti i Futbollistit Europian të Vitit do të zbulohet në një ceremoni speciale në Paris.

Besnik Dizdari voton nga Shqipëria

Çmimi prestigjioz, i dhënë nga revista franceze “France Football”, ka përmasa më të mëdha, pasi fituesi konsiderohet edhe si “Futbollisti botëror i vitit (Ëorld Footballer of the Year) dhe vendoset nga vota e një paneli të madh të gazetarëve profesionistë. Nga Shqipëria prej shumë vitesh voton gazetari i njohur sportiv, Besnik Dizdari, i cili përfaqëson revistën “Futbolli shqiptar”.

Kaka, “mbreti 2007”  dorëzon trofeun

Në vitin 2007, votimi për “Topin e artë” u ndryshua sërish. Tani, lojtarë të çdo kombësie dhe nga çdo klub i botës mund të fitonte. Si rezultat, numri i gazetarëve që u lejohej votimi u rrit në 96, të cilët votonin për pesë lojtarë nga lista e propozuar prej 30 kandidatësh, ndërkohë që më parë ishin 52 gazetarë nga vendet evropiane deri në vitin 2006. Rezultati ishte thuajse një formalitet, Kaka falë formës së shkëlqyer sfidoi Kristiano Ronaldon e Lionel Mesin. Kaka kishte udhëhequr Milanin në fitimin e Ligës së Kampioneve për vitin 2007, ashtu si Kristiano Ronaldo, Mançesterin e tij në vitin 2008.

Podiumi 2007

Kaka, fituesi
Ronaldo, i dyti
Mesi, i treti

Gjashtë anglezë me “Topa të artë”

Futbolli ka lindur në Britani, por Anglia ka fituar vetëm një herë Kupën e Botës, në vitin 1966, ndërkohë që klubet angleze kanë një histori të pasur në triumfet evropiane. Gjithsesi, vetëm gjashtë futbollistë kanë mundur të fitojnë “Topin e artë”. Stenli Metjus (1956) ishte i pari. Denis Lo (1964), Bobi Çalrton (1966) dhe Xhorxh Best (1968) përbëjnë dhe “treshen e shenjtë’ të Mançester Junaitid. Britaniku i famshëm Kevin Kigan e fitoi dy herë trofeun në vitin 1978 dhe 1979, ndërkohë që luante për Hamburgun. Një tjetër anglez fitues, i fundit në fakt, është Majkell Ouen, i cili e fitoi atë në vitin 2001, kur luante me radhët e Liverpulit.

E Hene, 01 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›