E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi nderon me medalje Njazi dhe Mefail Biçakun

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së viktimave të Holokaustit, kreu i shtetit Bamir Topi ka nderuar sot me medaljet “Për Merita të Veçanta Civile” Njazi dhe Mefail Biçakun (pas vdekjes), për humanizmin dhe trimërinë e rrallë të treguar prej tyre në mbrojtje të jetës së 26 hebrenjve në Shqipëri, duke i shpëtuar nga përndjekja dhe terrori nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në një ceremoni solemne të organizuar me këtë rast në Presidencë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve presidenciale, Kryetari i Shtetit Shqiptar i dorëzoi medaljet përfaqësuesve të familjes Biçaku dhe Presidentit të Shoqatës së Miqësisë Elbasan-Izrael.
 

Në fjalën e tij kreu i shtetit ka shprehur vlerësimin për ndihmën dhe përkrahjen që familja Biçaku, por dhe shqiptarët në përgjithësi, u kanë dhënë hebrenjve gjatë periudhës tepër të vështirë të Luftës së Dytë Botërore. “Ceremonia e sotme ka një simbolikë të veçantë. Shqipëria i bashkangjitet sot të gjitha vendeve demokratike në botë që përkujtojnë 27 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit. Kudo sot nderohen ata miliona qytetarë të pafajshëm, viktima të një prej regjimeve më brutale që ka njohur njerëzimi. Shqipëria i përkujton në mënyrë të veçantë: duke nderuar me medalje nderi një prej atyre dhjetra familjeve qytetare shqiptare që në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, me humanizëm dhe ndjenjë të lartë fisnike ia dolën të strehojnë dhe shpëtojnë jetët e 26 qytetarëve hebrenj” ka theksuar Topi.
 

Ai gjithashtu ka theksuar se në Ditën e Kujtesës kemi rastin të nxjerrim në pah modele pozitive tek të cilat qëndron fuqia e një shoqërie, e cila edhe në ditët më të vështira të saj nuk e humbi humanizmin dhe vlerat e saj qytetare.  “Familja Biçaku është simbol i kësaj vlere humane. Ata nuk mund ta dinin sesi do të ishte Shqipëria 60 apo 70 vite më vonë, por ata e dinin se mbrojtja e jetës së 26 qytetarëve hebrenj ishte një detyrim dhe përgjegjësi morale, të cilën e përmbushën me dinjitet. Akti i tyre dëshmoi lidhjet e forta të miqësisë dhe solidaritetit të shqiptarëve me hebrenjtë, dy popuj me një kalvar sakrificash për lirinë e tyre” ka shtuar më tej Topi.
 

Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, zotin Besim Ndregjoni, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë; për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›