E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Kamëz: Ju jeni shembulli i bashkëjetesës paqësore në kryeqytet

TIRANE - Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi gjatë fjalës së tij përpara banorëve të zonës së Institutit në Kamëz vlerësoi bashkëjetesën mes tyre.

“Këtu kam studiuar dhe më pas punuar si pedagog dhe më vjen mirë që kjo zonë ka pësuar ndryshime të shumta. Gjithashtu jam i lumtur, që ju keni arritur të bashkëjetoni në mënyrë të përkryer me të gjithë banorët e zonave të tjera, duke dhënë një shembull mjaft të mirë. Në Tiranë ashtu si në të gjithë kryeqytetet e botës, banojnë njerëz të kulturave dhe mendësive të ndryshme, të cilët arrijnë të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit mes tyre siç keni bërë edhe ju përgjatë këtyre viteve”, - tha Topi.

“Të gjithë i duam rrugët dhe sidomos tunelin Tiranë-Elbasan, i cili është pikë strategjike për zhvillimin e vendit. Por përpara se të bëjmë rrugë duhet të llogarisim edhe koston e tyre. Sot borxhi i brendshëm ka arritur shifra marramendëse dhe institucionet ndërkombëtare japin alarmin se shumë shpejt nuk do të kemi as paga për punonjësit e administratës”,- u shpreh kryetari i FRD.

Në fund të fjalës së tij, Topi vuri theksin edhe te dita e zgjedhjeve. “Cdo lloj vote e bardhë në kutinë e votimit mund te nxihet nga mjeshtërat e manipulimit të votës tha ai duke i kërkuar qytetarëve: “Në datën 23, t’i bëjmë apel të gjithëve të dalin në votime dhe të analizojnë me qetësi alternativat që i jepen, pasi vetëm kështu mund të
vendosim për të ardhmen tonë ”

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›