Topi ngushëllon familjen e ish-trajnerit Medin Zhega

Presidenti Topi i ka shprehur sot ngushëllimet familjes së ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Medin Zhega i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Topi thekson se Medin Zhega ia kushtoi gjithë jetën me devotshmëri e profesionalizëm sportit dhe edukimit e drejtimit të brezave të rinj të futbollistëve
“Dje u nda nga jeta futbollisti i talentuar dhe trajneri i përkushtuar e i nderuar, i cili ia kushtoi gjithë jetën me devotshmëri e profesionalizëm sportit dhe edukimit e drejtimit të brezave të rinj të futbollistëve, duke mbetur i gdhendur përjetë në kujtesën tonë për vlerat e tij të rralla njerëzore e qytetare, si dhe për talentin mjeshtëror dhe dijet e vlefshme sportive, me të cilat drejtoi me dinjitet e krenari Kombëtaren tonë të futbollit” shton Topi.
Më tej, presidenti Topi thekson se është i bindur se Dini dhe jeta e vepra e tij do të mbeten gjithnjë dhe se mirënjohja dhe respekti për të nuk do të shuhen kurrë. “Duke e vlerësuar jo vetëm si një futbollist virtuoz, si një njeri zemërgjerë dhe shembull për të gjithë ne që kemi patur fatin ta njohim nga afër e të përjetojmë me të momente të veçanta e mbresëlënëse, duke duartrokitur e vlerësuar dhuntitë dhe vlerat e tij njerëzore dhe sportive, edhe një herë më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme!" shton në mesazhin e tij drejtuar familjarëve të ish-trajnerit, presidenti Topi