E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takim kokë më kohë me Berishën e Ramën

16/02/2010 Presidenti thërret tryezën e dytë politike për gjetjen e një dialogu

Fillimisht kreu i shtetit do të konsultohet me Lohan dhe Montobio

Pas tryezës së parë politike që Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi me krerët e dy partive kryesore në vend për zgjidhjen e ngërçit politik, këtë herë kreu i shtetit do t’i zhvillojë ato kokë më kokë me secilin. Zyra e shtypit pranë Presidentit njofton se numri një i shtetit shqiptar, në vijimësi të tryezës politike të së shtunës dhe të kërkimit e gjetjes së pikëtakimeve mes pozitës dhe opozitës, do të zhvillojë takime të veçanta me Kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës Rama. Por më parë, Presidenti i Republikës do të takohet me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë, axhendën e takimeve për ditën e sotme ai do ta nisë me konsultimet me kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan dhe ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Ambasadorët ndërkombëtarë të akredituar në vendin tonë, kanë qenë një mbështetje e rëndësishme për kryetarin e shtetit në këtë mision për gjetjen e dialogut. Kreu i shtetit i ka ftuar ata në diskutim dhe konsultime gjatë javës së kaluar.

Në takimin e së shtunës, që zgjati gati tri orë, palët ranë dakord që Presidenti të vazhdojë të kërkojë pikat ku ato mund të gjejnë gjuhën, mund të bashkëpunojnë. Ndërsa dy liderët, Kryeministri Berisha dhe kreu i selisë rozë Rama, shprehën vullnetin politik për të bashkëpunuar me qëllim që demokracia në Shqipëri të jetë funksionale, efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar. Në këtë takim, kreu i PD-së ishte shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe kryesocialisti Rama shoqërohej nga kryetari i asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Ndërkombëtarët

Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për realizimin e tryezës politike mes palëve, me qëllim rifillimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ata fillimisht i kërkuan opozitës të linte bojkotin dhe të zinte vendet në Parlament, më pas, pasi ngarkuan Presidentin e Republikës në rolin e negociatorit, bindën palët që të uleshin së bashku në të njëjtën tryezë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›