E Diel, 1 Nëntor 2026

Supergrabitje në Nartë, përlahen 150.000 euro

16/02/2010 Pronari 60-vjeçar denoncon vjedhjen e kasafortës me paratë brenda

Policia shoqëron disa persona, ende asnjë i dyshuar për ngjarjen

Një banori të fshatit Nartë të rrethit të Vlorës i vidhen 150.000 euro në mënyrë misterioze. Kësisoj, paratë e punës shumëvjeçare në emigracion i janë vjedhur për pak minuta 60-vjeçarit, teksa mësohet se një pjesë e parave ishin të dhëndrit të tij. Ende s’ka të dyshuar, ndonëse policia ka shoqëruar disa persona. Nga burimet policore mësohet se një 60-vjeçar, banor i fshatit Nartë, ka denoncuar mbrëmjen e kaluar në polici se i kanë vjedhur në banesën e tij një shumë prej 150.000 euro të futura në kasafortë. Sipas 60-vjeçarit, paratë i ka pasur të mbyllura në një kasafortë, të cilën e kishte fshehur në afërsi të oxhakut të shtëpisë, maskuar me disa sende, por kur ka shkuar për të marrë disa prej tyre, ka konstatuar se paratë i ishin vjedhur me gjithë kasafortë. Sipas tij, një pjesë e parave ishin të dhëndrit dhe një pjesë e tij, të vëna me punë shumëvjeçare në emigrim. Para një muaji 60-vjeçari me gruan e tij kanë shkuar jashtë shtetit, dhe për siguri kasafortën me paratë e ka çuar te një njeriu i tyre për t’i ruajtur. Mbasi ka ardhur nga jashtë shtetit, ka marrë sërish kasafortën me paratë duke i fshehur në vendin e mëparshëm, por pasditen e djeshme ka konstatuar vjedhjen e tyre. Sakaq, 60-vjeçari ka deklaruar në polici se për kasafortën dhe paratë e ka ditur një komshiu i tyre, si dhe disa të afërm, për të cilët banori i Nartës ka ngritur dyshimet e para për vjedhjen e parave. Policia, mbasi ka marrë kallëzimin, ka shkuar në vendngjarje për të kryer ekspertizat e nevojshme, duke marrë dhe gjurmët në ambientet e banesës. Mbas kallëzimit policia ka shoqëruar në komisariat disa prej të dyshuarve, të cilët janë marrë në pyetje dhe gjithashtu u janë marrë edhe shenjat e gishtave. Sipas policisë, po hetohet intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të zbuluar autorët, si dhe për të hetuar në drejtim të ndonjë mashtrimi nga ana e pronarit të shtëpisë për humbjen e parave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›