Tornatore fotograf

Ditët e Giuseppe Tornatores në Tiranë nisin sot me paraqitjen e ekspozitës së tij fotografike. Vende, njerëz dhe sheshxhirime.
Nga retrospektiva shfaqet në mbrëmje "Kinema Parajsa". Të dielën takim me regjisorin
Ardhja e regjisorit italian Giuseppe Tornatore në Tiranë kësaj fundjave nuk është kalimtare. Është menduar një program që parashikon njohje komplekse të veprës dhe jetës së tij.
Në hollin e sallës së vogël të Teatrit Kombëtar sot, ora 17.30 hapet ekspozita me foto të vetë Tornatores dhe gjatë punës së tij në sheshxhirim. Janë me dhjetëra imazhe që ndër të tjera i shërbejnë prezantimit të "La cuna del sogno", pra djepit të ëndërrave. Kështu e kanë quajtur rrëfimin që regjisori do të bëjë gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Ky titull i referohet vendit të tij të origjinës, Siçilisë.
Filmat e tij janë e shumta një përpjekje të dhënë në një formë e në një tjetër vendin dhe njerëzit e Jugut, e fëminisë së tij.
Giuseppe Tornatore është lindur (1956) dhe rritur në Bagheria, pranë Palermo. Në kinema ai hyri nëpërmjet fotografisë. Puna e tij eci mirë me botimet në revista për fotografinë. Teatri ishte hapi i dyti.
Nuk e kishte kapërcyer adoleshencën kur vuri në skenë dy drama nga Luigi Pirandello dhe Eduardo De Filippo. Dokumentarët ishin shkalla e tretë dhe e sigurtë, deri në vitin 1979 kur merret për njëfarë kohe me televizion. Bashkëpunon me kanalin e parë të TV italian.
Bashkëpunimi me Giuseppe Ferrara-n për "Njëqind ditë në Palermo", dhe drejtimi i pjesës së dytë nga Tornatore vetë, shënuan futjen e tij në kinema.
Megjithatë debutim i tij quhet rrëfimi i Mala Vita-s më 1986 me "Il Cammorrista" ("Kamorristi") me protagonist Ben Gazzara-n. Vjen një Golden Globe për regjinë e veprës së parë.
Por duket se Tornatore heq dorë menjëherë nga revanshi dhe muskujt që kërkon trajtimi i aktualitetit të Jugut të Italisë, me të cilën e nisi karrierën, për të bërë një interpretim të tjetër lloji të këtyre viseve: stil klasik, frymë nostalgjike, të cilën e ka ruajtur sot e njëzet vjet.
Publiku ynë do të ndjekë sot filmin që hap epokën e filmave mbi Siçilinë. Është "Nuovo Cinema Paradiso", ngjarjet e të cilit ndodhin në një qytezë në Siçili. Shumë sukses pati kjo vepër, e bëri të njohur në skenën ndërkombëtare pas vlerësimit me Çmimin Special të Jurisë më 1989 dhe sidomos me një Oscar më 1990, si Filmi më i Mirë në gjuhë të huaj.
Është ndër filmat që fitoi adhurues në atë kohë edhe në Shqipëri. Madje pati regjisorë nga tanët, nga ata që e kishin mbyllur karrierën të cilët thoshin se po t'u binte më radha të bënin film, do t'ua kishte ënda të bënin një si "Kinema parajsa".
Cikli i Siçilisë vazhdon me "L'uomo delle stelle" (Njeriu i yjeve) i vitit 1995.
Pesë vjet më vonë vjen "Malena", një tjetër film që do të shfaqet në Teatrin Kombëtar në fundjavë. Këtu dhe tek të tjerë filma para dhe më pas, Siçilia e Tornatores bëhet pretekst për të përshkuar epoka, histori, fatin e vendit nëpërmjet njerëzve naivë e të pashkollë, që herë duket se ngrihen prej hiçit e bëhen zot të vetes, dhe herë tjetër të tjerë u bëhen zot.
Vitet tridhjetë, ardhja në pushtet e fashizmit, lufta e dytë botërore dhe copa historie të së majtës italiane, janë "politika" në filmat e tij për Siçilinë. I tillë është realizimi i tij i fundit, i vitit 2009, "Baarìa".
Është historia e një familje siciliane gjatë një gjysmë shekulli. Filmi u shfaq premierë në Tiranë në fund të marsit. Rishfaqet në prani të autorit.
Retrospektiva e kinemasë së Giuseppe Tornatores në Teatrin Kombëtar nis sot dhe mbyllet më 2 maj, ditë kur ai do të jetë i pranishëm për një takim të hapur me publikun dhe njerëz të kinemasë.
Ardhja e regjisorit bëhet në kuadër të aktiviteteve "Italia dhe Shqipëria 2010-Dy popuj, një det, një miqësi".
Sonte në ekran
Kujtimet e fëminisë së Tornatores rrëfehen në "Kinema Parajsa" nëpërmjet dy personazheve qendrorë. I pari është Alfredo, në rol Philippe Noiret, veteran i kinemasë frënge. Ai është udhëheqësi shpirtëror i Salvatore Di Vitto-s, shkurt, Toto, po edhe njeriu i një bote në zhdukje.
Jemi në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Babai i Totosë, ka mbetur diku në larg në front. Totoja krijon botën e tij brenda kinemasë dhe dhomës së projektimit pranë Alfredos. Ky njeri do të shtyjë ta lerë një ditë vendlindjen për hir të së ardhmes. Gjërat që duhen shumë në jetë, një ditë duhen braktisur.