Prokuroria: Është zhdukur arma e atentatit ndaj Sotirit
"Banda e Durrësit"
Eksperti i Policisë së Durrësit, pohoi dje në seancë se nuk rezultonte të kishte ndonjë armë të administruar për ngjarjen e vitit '98
Prokurori i çështjes tha se në këtë armë të gjetur nga hetuesit janë administruar gjurmët e Klodian Saliut.
TIRANË- Arma automatike e llojit, "Kallashnikov" që dyshohej se është përdorur nga autorët në atentatin ku mbeten të vrarë Viron Curri, Arjan Paja si dhe u plagos Marsel Sotiri rezulton e zhdukur nga dhoma e provave në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.
Ky fakt u konfirmua në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të "bandës" së Durrësit, nga prokurori i çështjes, Anton Martini. Në lidhje me këtë fakt ai kërkoi pyetjen e ekspertit kriminalist i Policisë së Durrësit, Shefqet Demollarit, me cilësinë e dëshmitarit.
Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të prokurorisë, administroi në dosje dëshminë e ekspertit Demollari në lidhje me ngjarjen e 29 tetorit të vitit 1998, në kodrat e Rrushbullit në Durrës. Në këtë ngjarje u vranë Viron Curri, Arjan Paja dhe u plagos Marsel Sotiri.
Sipas ekspertit kriminalistik, në vendin e ngjarjes janë gjetur një sërë gëzhojash të armëve të ndryshme që ndodheshin pranë veturës së llojit "Volkswagen Golf II", me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët e atentatit. Provat e gjetura në vendin e ngjarjes, sipas ekspertit, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale dhe janë administruar nga hetuesit e ngjarjes.
Ato sipas tij, janë janë marrë nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë në Durrës që ishin në vendin e ngjarjes. "Aty janë fiksuar disa gëzhoja që janë mbledhur dhe dorëzuar tek oficerët e policisë gjyqësore" - tha Demollari, duke mohuar se kishte dijeni për ndonjë armë të gjetur që më pas ka humbur.
Vetë prokurori Martini theksoi se në vendin e ngjarjes ku mbetën të vrarë Viron Curri, Arjan Paja dhe u plagos Marsel Sotiri, është gjetur edhe një armë "Kallashnikov", që rezulton i zhdukur.
Sipas tij, në atë armë është fiksuar një gjurmë gishti që korrespondonte me gjurmët e të ndjerit Klodian Saliu. Në vitin 2000, kur Saliu u arrestua, Gjykata e Durrësit kërkoi kryerjen e një akt-ekspertimi ndaj armës së gjetur në vendin e ngjarjes.
Më tej prokurori Martini tha se se arma nuk gjendej nga policia e asaj kohe. Vetë eksperti kriminalist gjatë dëshmisë nuk përmendi në asnjë rast armën e gjetur. Sipas prokurorisë, eksperti Demollari e ka pranuar këtë fakt gjatë hetimit para oficerëve.
Pas dëshmisë së Demollarit, para gjykatës u paraqit Xhuljeta Fetau, e cila u pyet për qëndrimin në banesën e saj të të pandehurve të "bandës" dhe për vëzhgimin e lëvizjeve të Marsel Sotirit.
Banesa e saj ndodhej rreth 200 metra nga vendi ku u ekzekutua Sotiri më 22 gusht 1999 në vendin e quajtur Plazhi në qytetin e Durrësit. Fetau nuk pranoi se kishte strehuar persona të ndryshëm për vëzhgim, por vetëm miq dhe shokë të familjes së saj.
Gjithashtu, në seancën e djeshme u pyet ish-pronari i bar "Berluskonit", Shpëtim Xhilaga, që kishte pasur një të punësuar me emrin Geri. Ky i fundit, sipas Adriatik Colit, i ka dhënë atij veturën "BMW" ngjyrë të zezë në pronësi të Xhilagës.
Kjo rezulton të jetë përdorur në vrasjen e Dritan Sallakut më 17 tetor 1998, përballë shkollës "7 Nëntori" në Durrës. Sipas Xhilagës, veturën ia kishin grabitur ai kishte dhënë edhe një kallëzim në polici për këtë fakt.
Ai mohoi të ketë njohje me të pandehurit, por pranoi se në lokalin e tij punonte një person me emrin Geri. Ai merrej me furnizimin e lokalit dhe ishte shok i të birit, Denis Xhilaga. Dëshmitari Xhilaga nuk pranoi se kishte dijeni se mjeti i tij, ishte përdorur për ndonjë vrasje. Me 21 tetor 1998, pohoi se është pyetur nga policia për veturën, pasi ishte identifikuar se është pronë e tij.
Resuli: Shtëpia e dhëndrit Dervishi u sulmua nga njerëz me maska
Gjykata me kërkesë të prokurorisë pyeti edhe dëshmitarin Gazmend Resuli, krushk i familjes së Plarent Dervishit, vëllai i të cilit është martuar me motrën e dëshmitarit. Në sallë Resuli foli për ngjarjen e vitit 1998, kur me breshëri armësh u sulmua banesa e vëllait të Plarent Dervishit, Redinaldit.
Nga ky atentat pati vetëm dëme materiale, por që asnjëherë nuk u zbulua se kush kishte qëlluar. "Kishim dyshime, se atë atentat mund ta kishin kryer njerëzit e Marsel Sotirit"- kishte thënë para prokurorisë dëshmitari Resuli.
Pas kësaj ngjarjeje të pazbuluar, motra e tij dhe bashkëshorti me dy fëmijët u larguan në SHBA, ku morën azil për shkak të frikës për vrasjen e tyre. "Dëmtimet në banesë u lanë për disa vite pa u rregulluar, me shpresën se policia do të bënte këqyrjen e vendit të ngjarjes, por kjo nuk ndodhi,- tha Resuli.
**********************
Ilir Sulo i ekstraduar javën e kaluar nga Bullgaria refuzoi të japë shpjegime prokurorëve që po e hetojnë për korrupsion
Biznesmeni i uniformave "kyç" gojën për hetuesit
TIRANË- Vetëm pak ditë pas ekstradimit të biznesmenit Ilir Sulo, i akuzuar bashkë me gjashtë persona të tjerë në lidhje me paracaktimit e tenderit prej 1.2 milionë eurove për blerjen e uniformave të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve në varësi të saj, refuzon dhe nuk pranon të flasë për akuzat para hetuesve.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë njësisë së task-forcës së Prokurorisë së Tiranës, ku i dyshuari Sulo po hetohet për akuzën e "korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim.
Sipas këtyre burimeve vetë i dyshuari në prani dhe konsultim me avokatin mbrojtës Ardian Visha nuk ka pranuar të flas për akuzat e ngritura nga prokuroria. "Nuk dua të flas. Do të flas kur të jetë momenti i përshtatshëm për mua.
Unë e di që prokuroria në bashkëpunim me të arrestuarit e tjerë donit të mi ngarkonit mua të gjitha akuzat, por kjo do të provohet se kush është fajtor"-mësohet se i ka thënë prokurorit të çështjes Julian Xhengo dhe oficerit të tij, i arrestuari Ilir Sulo që ndodhet i izoluar me masën e sigurisë "arrest shtëpie" me vendim të Gjykatës së Apelit.
Sipas akuzës, biznesmeni Ilir Sulo u arrestua nga policia bullgare në fillim të shkurtit sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë e cila kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, vetëm pak javë pas arrestimit në Shqipëri të gjashtë bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për të njëjtën çështje.
Por, kjo masë sigurie iu ndryshua nga Gjykata e Apelit, nga "arresti me burg" në "arrest shtëpie", çka bëri që edhe vetë i arrestuari t'i kërkojë autoriteteve bullgare ta ekstradonin në Shqipëri.
Sipas akuzës, Sulo dyshohet se është organizatori dhe përfituesi më i madh i shumës së tenderit të miratuar nga Këshilli i Ministrave për blerjen e uniformave me vlerë prej 1.2 milionë euro. Pasi dyshohet se ka marrë përsipër të paguajë gjysmën e 10 % të vlerës së tenderit, shumë që do shkonte në xhepat e zyrtarëve shtetërore.
Po kështu, ai dyshohet se kishte marrë përsipër të ishte personi që do dorëzonte paratë, që më pas do sillte edhe paracaktimin e fituesit të këtij tenderi të organizuar nga Drejtoria e Prokurimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës.
Bashkë me të akuzohen edhe Bujar Murati, ish-drejtor i Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Tahir Imami, ish-shef i Prokurimeve Publike në Gardës e Republikës, Redi Popesku, ish-specialist në Ministrinë e Integrimit.
Ky i fundit luante rolin e ndërmjetësit. Tre tregtarët Agur Sadiku, Artan Berberi dhe Jani Gjergjefi, u liruan, nga Apeli dhe Gjykata e Lartë, pas arrestimit të tyre me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, vendim ky që më pas u prish nga shkallët tjera të gjyqësorit.
********************************
Avokatët e cilësuan si të panevojshme dëshminë e deputetit të PD-së që kishte vizituar "zyrën" e Aldo Bares
"Banda e Lushnjë", heq dorë nga dëshmia e Ilir Banos
TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të pandehurve të "Bandës së Lushnjës", në parashtrimin e kërkesave të tyre në përfundim të shqyrtimit të provave të prokurorisë, kërkuan thirrjen në cilësinë e dëshmitarëve të oficerëve Zigur Bizha dhe Bujar Hoxha, dy personat që kanë hetuar të gjithë "bëmat" e "bandës" pas vitit 2005.
Sipas avokatëve, këta dy oficerë do të provojnë para gjykatës, se si hetimi i tyre në vitin 2005-'06 është falsifikuar dhe manipuluar nga politika. Ndërkohë, po dje, avokatët mbrojtës njoftuan Gjykatën e Krimeve të Rënda se heqin dorë nga thirrja si dëshmitar i deputetit të Demokratik të Lushnjes, Ilir Bano.
Shkak për këtë, sipas tyre, është vlerësuar se dëshmia e panevojshme e tij, edhe pse muaj më parë ata deklaruan dhe kërkuan me ngulm nga gjykata që ai t'i bashkohet listës së dëshmitarëve të mbrojtjes. Shkaku i kësaj kërkese, mësohet se është bërë dëshmia e Pëllumb Meços.
Gjatë dëshmisë së tij, dhënë më 30 janar 2009, dëshmitari Meço pati rrëfyer se në ambientet e "Komisariatit nr.2", që njihej si baza e "bandës", kishte takuar deputetin e Partisë Demokratike Ilir Bano.
"Në muajin maj të vitit 1998, tre persona të armatosur dhe me veshje policie erdhën në shtëpi dhe më kërkuan të shkoja me ta në Komisariatin 2. Në atë kohë kishim dëgjuar se ky Komisariat drejtohej nga Alfred Shkurti i njohur edhe si Aldo Bare.
Arsyeja pse më morën ishte, se donin që vëllai im Zyber Meço, i cili e kishte fituar tenderin e pastrimit të mbeturinave në qytetin e Lushnjës, të hiqte dorë për shkak se e donin njerëzit e Fred Shkurtit. Po për këtë tender, është plagosur në vitin 2001 nga persona që ende nuk janë zbuluar.
Më dërguan në një ndërtesë afër Komisariatit të Policisë së Lushnjës. Aty më futen në një hyrje si garazh dhe më pas në një dhomë, ku kishte një divan, disa karrige, një telefon dhe brenda saj ishin Arben Boriçi, deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Bano, dhe Ylli Seta, në atë kohë kryetar i PD-së në Lushnje,- pati thënë dëshmitari Meço në gjykatës.