E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toro: Reforma e pronësisë ka dështuar

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agim Toro, shpjegon problemet me kompensimin e pronarëve dhe gabimet e strategjisë së qeverisë



Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agim Toro, komenton për "Shekullin" procesin e kompensimit të pronave, i cili duhet të mbarojë këtë muaj. Ai tregon gabimet që janë bërë në procesin e legalizimit të banesave si dhe strategjinë e qeverisë për të shmangur pjesën më të madhe të pronarëve nga procesi i kompensimit. Sipas Toros, fondi është krejtësisht i papërfillshëm dhe me këto ritme do të duhen mijëra vjet për të përfunduar procesin e kompensimit të ish-pronarëve.

Z. Toro, zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave janë në fazën finale të verifikimit të dosjeve nga të cilat do të shpallen përfituesit nga fondi prej 600 milionë lekësh që është akorduar për kompensimin financiar të pronarëve. Si e shihni këtë proces duke marrë parasysh edhe kufizimet ligjore që janë vendosur për të qenë prej përfituesve.

Nëse shikojmë praktikën e ndjekur për shpërndarjen e këtij fond, në bazë të një vendimi të qeverisë rezulton që nga këto para do të përfitojnë vetëm ato pronarë të tokave, preventivi i të cilave njeh vetëm kompensim. Pra që nuk është përcaktuar për ta, kthimi fizik i ndonjë metri katror tokë. Gjithashtu ai është bërë duke përjashtuar të gjitha ato familje që mund të jenë banorë të qytetit dhe të fshatit, vetëm se motrat apo vëllezërit e tyre kanë përfituar nga ligji 7501. Në thelb ky vendim i Këshillit të Ministrave është marrë për të seleksionuar maksimalisht të gjithë subjektet e shpronësuara, në mënyrë që numri i tyre që kanë të drejtë të përfitojnë nga shpërndarja e këtij fondi prej 600 milionë lekësh të jetë sa më i ulët.



Pra ju mendoni se këto kufizime bëhen për shkak të fondit të vogël që është në dispozicion?

Sigurisht, kjo bëhet vetëm se fondi është jashtëzakonisht i vogël. Është krejt i papërfillshëm për sa i përket marrëdhënies dhe detyrimit që ka shteti për të realizuar kompensimin ndaj pronarëve. Këto seleksionime bëhen vetëm për të shmangur kërkesat e mëdha të subjekteve të shpronësuara. Ky 600 milionësh nuk përbën as një pikë uji në oqeanin e madh të vlerës së pronave të konfiskuara. Jemi në një moment kur ligji i kthimit dhe të kompensimit të pronave është mbyllur tashmë për sa i përket vendimmarrjeve të kthimit fizik të pronës. Pas datës 30 qershor të këtij viti, as Agjencitë të Komisionit të Kthimit të pronave në rrethe dhe as Agjencia e Kthimit dhe të Kompensimit të pronave nuk kanë të drejtë të marrin vendime për kthimin në natyrë të pronës, por vetëm për kompensimin e saj. Në këtë kuadër ne mendojmë se shpërndaja e këtij fondi prej 600 milionësh nuk është as më shumë e as më pak një vazhdim i punës rutinë që ka AKKP-ja.

Sa është sasia e parave të shpërndara deri më tani duke filluar që nga hyrja në fuqi e ligjit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave?

Që nga viti 2005 kur ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave ka hyrë në fuqi e deri sot, e tërë shpërndarja nuk e kalon shifrën e 21 milionë dollarëve, në një kohë që deri në 31 dhjetor 2014 duhet të përfundojë i tërë realizimi i kompensimit financiar. Kurse kompensimi fizik, i cili duhet të mbyllet në 31 dhjetor të viti 2009, as që bëhet fjalë, nuk ka filluar dhe nuk presim që të fillojë. Ky është shkaku që ne themi që ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave ka dështuar, pasi nuk është i aftë të zgjidhe konfliktin e pronave prandaj ne si shoqatë theksojmë se për këtë qëllim duhet të hartohet një ligj i ri, i cili të mbështetet në kthimin fizik dhe jo në kompensimin dhe të bëhet një luftë e hapur kundër mafias së tokave dhe korrupsionit galopant që lidhet me pronësinë.



Në bazë të të dhënave që keni juve si shoqatë, sa është sipërfaqja e tokës së konfiskuar dhe sa është vlera totale e saj duke bërë përllogaritjen mbi bazën e çmimeve të tregut që vazhdimisht është theksuar se do të kompensohet ?

Në bazë të studimeve të bëra nga ne, rezulton se për sa i përket tokës bujqësore, kërkesat e subjekteve të shpronësuara të jetë në shifrat e 140 deri në 150 mijë hektarëve. Nëse kësaj shifre i shtojmë koston e tokave urbane të cilat kanë një kosto qindra herë më të lartë se tokat bujqësore, dhe tokat pyjore, përllogaritet që e gjithë kostoja të jetë rreth 24 miliardë euro. Prandaj ne themi që fondi 600 milionë lekë i krahasuar me këtë kosto, nuk ia arrin qëllimit, jo për një vit apo për njëqind vjet, por as për mijëra vite. Ky është një fakt tjetër i cili konfirmon dështimin e total të reformës së pronësisë.



Z.Toro, ju si shoqatë e keni kundërshtuar vazhdimisht ligjin e legalizimeve, por cila do të ishte zgjidhja më e mirë sipas jush, duke shmangur konfliktet apo plagët sociale që mund të shkaktonte ajo?

Ligji i legalizimeve është shumë i gjerë për t'u analizuar, por në kuptimin e interesit të pronës zgjidhjet që ka dhënë ai janë në kundërshtim të hapur me të drejtat themelore të njeriut, ku shteti në mënyrë brutale dhe të dhunshme, pa asnjë motiv dhe interes publik, shpronëson disa pronarë dhe bën me prona disa njerëz që janë shkelës të ligjit. Ky është një fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri. Por unë dua të theksoj një fenomen tjetër, që lidhet me ligjin për legalizimet. Në bazë të të dhënave rezulton që ndërtimet pa leje të jenë rreth 500 mijë. Domethënë rreth 500 mijë familje shqiptare kanë ndërtuar pa leje. Megjithatë, sipas shifrave që jep ALUIZNI, janë rreth 350 mijë ndërtime pa leje. Sipas ALUIZNI-t , një e treta e tyre janë ndërtuar në tokat e ish-pronarëve, dhe pjesa tjetër në tokat e veta dhe të shtetit. Pra do të thotë që 230 mijë familje kanë zaptuar tokat e të tjerëve, duke dëshmuar edhe dështimin e të famshmit ligji 7501. Pasi, ata nuk arritën të punojnë tokën e tyre dhe u zhvendosen në vende të tjera për një jetë më të mirë dhe si një shtet prehistorik zaptuan tokat e të tjerëve pa të keq. Kjo është një politikë krejt e gabuar, e cila nxit mosrespektimin e ligjit, një politikë e antiligjit e represionit që i bën shumica pakicës, e cila dëshmon se jemi akoma në një periudhë të revolucioneve majtiste në Shqipëri.



Ju mendoni se pasojat e atij migracioni në shifra të larta brenda vendit në fillim të viteve 90-të mund të rregulloheshin në një mënyrë tjetër, pa hartuar një ligj si ai i legalizimeve?

Legalizimet kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë qytetet më të mëdha të Shqipërisë, ku mendohet që do të jenë zona me perspektive ku do të strehohen jo aq banorë sa kanë sot por miliona e miliona të tjerë në një të ardhme shumë të afërt. Migracioni është i domosdoshëm të realizohet sepse nuk mund të hyjmë në Europë me 57 për qind popullsi rurale, por kjo mënyrë e realizimit të këtij migracioni është një mënyrë vetëshkatërrimi dhe vendi ynë është në prag të krizave shumë të rënda që vijnë si rezultat i këtij ligji. Aq më tepër, duke marrë parasysh iniciativat e qeverisë që toka e zënë të paguhet nga zaptuesit me një çmim qesharak, aq më shumë që edhe këtë duhet ta shlyejnë me letra me vlerë. Pra shteti nuk do të fusë asnjë qindarke në buxhet duke legalizuar qindra e mijëra ndërtime pa leje. Atëherë lind pyetja, se me çfarë parash do të kompensohen pronarët për të cilët trumbetohet me të madhe se do të paguhen me çmimin e tregut? Sipas llogarive të shoqatës sonë, vlera e legalizimeve është në shifrat e gjashtë miliardë eurove. Që do të thotë se populli shqiptar duhet të nxjerrë nga xhepi këto para vetëm sepse kemi të bëjmë më një mënyrë legalizimi antiligjore dhe antikushtetuese.



Pra , sipas jush si mund të bëhej në një mënyrë tjetër?

Neve kemi thënë që legalizimi mund të ndodhë vetëm me një kusht, që ndërtuesit pa leje ta paguanin tokën me çmimet e tregut dhe jo me çmime qesharake që janë vendosur. Çmimet e tregut janë elementi bazë i një shoqërie kapitaliste. Në qoftë se nuk kuptojmë këtë element bazë, atëherë ne nuk jemi në një shoqëri kapitaliste.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›