Dhunon shtëpinë e fqinjit, kundërshton policinë
GJIROKASTËR- Endacaku dhunon banesën, përleshet me familjarë e më pas kundërshton ashpër edhe forcat e policisë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Memaliajt, mesnatën e së dielës.
Ka qenë ora 23.30 kur 39- vjeçari Arben Çeço, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të "Falsifikimit të dokumenteve" ka dhunuar banesën e shtetasit me iniciale A.K, në lagjen nr. 1 të qytetit të Memaliajt. Burime policore kanë bërë të ditur se endacaku ka mundur të hyjë në banesë pasi ka dëmtuar rrjetën mbrojtëse të dritares së dhomës së gjumit. Por ky veprim është konstatuar nga të zotët e shtëpisë, të cilët janë përleshur me 39- vjeçarin, fatmirësisht pa u dëmtuar. Ndërkaq, edhe komshinjtë janë bërë pjesë e këtij konflikti dhe kanë lajmëruar edhe policinë. Mbërritja e uniformave blu ka krijuar një tjetër konflikt me endacakun, i cili nuk pranonte t'i shoqëronte për në ambientet e policisë dhe i ka kundërshtuar ashpër ata. "Në këto kushte është shoqëruar forcërisht, ndërsa nga përleshja me pjesëtarët e familjes A.K, me këtë shtetas nuk ka të lënduar", thuhet në komunikatën zyrtare të policisë për këtë ngjarje. Mësohet se vetëm pak ditë më parë 39- vjeçari Çeço ka qenë protagonisti i një tjetër konflikti në një lokal në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës dhe për këtë ngjarje është shoqëruar në polici dhe është gjobitur me gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Sipas policisë ka rezultuar se ky shtetas është endacak, ndërsa do të përballet tashmë me veprat penale "Dhunim banese" dhe "Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit publik".