Toto Volf, aksioner tek Mançester Junajtid?

Kreu i skuadrës së“Mercedes”-it në Formula 1, Toto Volf, ka pohuar se ai ka biseduar me Sër Xhim Ratklif për t’i bashkuar përpjekjes së këtij të fundit për të blerë aksione tek Mançester Junajtid. Retklif ka bërë një ofertë për të blerë 25% të aksioneve të klubit nga familja Glejzër. Themeluesi i gjigandes së produkteve petrokimie “Ineos” zotëron 1/3-ën e aksioneve të skuadrës së “Mercedes”-it në Formula 1, teksa vetë Volfi dhe “Mercedes”-i kanë gjithashtu nga 1/3-ën e aksioneve.
“Xhimi ka ndarë vizionin e tij me mua dhe dhe i respektoj shumë vlerat e tij dhe prandaj i besojmë fort njëri-tjetrit”, – ka deklaruar Volfi, duke folur për Agjencinë e Lajmeve “Press Association”. Sidoqoftë, gjatë një interviste me “Sky Sports” në prag të Çmimit të Madh të Sao Paulos, ai shtoi se çfarëdolloj investimi ishte ende “shumë, shumë larg”. Grupi “Ineos” i Ratklifit po synon të sigurojë 25% të aksioneve tek Mançester Junajtid, por marrëveshja ende nuk është përmbyllur.
Ai dëshiron gjithashtu të marrë kontrollin e operacioneve të futbollit në “Olld Traford”. 51-vjeçari Volf deklaroi se “Nuk kam synuar kurrë investime për trofe, por më pëlqen konkurrenca e Premier Ligës Angleze. “Xhimi dhe Mançester Juanjtid janë një histori dashurie, sepse ai është lindur atje, – vijoi austriaku. – Marrëdhënia jonë është e fortë dhe, së bashku me kreun ekzekutiv të “Mercedes-Benz”-it, Ola Kallenius, njerëzit na quajnë “Tre Amigos” (Tre miqtë), sepse ne jetojmë në një realitet ku nuk pranohet absurdi.
Nëse e ndjejmë që mund të kontribuojmë, atëherë unë do ta marr në konsideratë mundësinë që t’i bashkohem atij tek Mançester Junajtid”, – ka përfunduar kreu i skuadrës së“Mercedes”-it në Formula 1, Toto Volf.