E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani: Ministria e Jashtme të negociojë për shqiptarët e arratisur në Greqi

totozaniAvokati i Popullit, Igli Totozani, është shprehur i shqetësuar me fatin e shqiptarëve të arratisur nga burgu grek i Trikallës.

Bazuar në ankesën e depozituar në institucion nga familjarët e një prej personave të arratisur, por edhe nga lajmet e publikuara në media, Avokati i Popullit është duke ndjekur me vëmendje e shqetësim të veçantë situatën e krijuar rreth arratisjes së disa shtetasve shqiptarë që vuanin dënimin penal në burgun e Trikallës, në Greqi, ende në kërkim nga autoritetet greke. Sipas informacioneve zyrtare të botuara në media, rezulton që deri tani 3 prej personave të arratisur kanë humbur jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë greke, si dhe kanë humbur jetën një polic dhe një shtetase e këtij vendi, shprehet Totozani.

Totozani i bën apel të arratisurve nga burgu të vetëdorëzohen me qëllim që të shmanget përdorimi i forcës, që ka çuar në humbjen e jetës së 3 prej tyre, ndërsa kërkoi nga Ministria e Jashtme të negociojë me Greqinë.

Avokati i Popullit i bën thirrje shtetasve shqiptarë dhe autoriteteve për një zgjidhje të shpejtë të problemit duke shmangur përdorimin e mëtejshëm të forcës. Pavarësisht arsyeve dhe rrethanave në të cilat kanë ndodhur humbja e jetëve, Avokati i Popullit vlerëson se është e një rëndësie primare që e drejta e jetës të ketë përparësi ndaj çdo lloj mase e cila sjell pasoja fatale për humbjen e saj. Në këto kushte ne mendojmë se: vetëdorëzimi i shtetasve shqiptarë të arratisur nga burgu do të shmangte përdorimin e mëtejshëm të forcës, i cili pa dyshim do të sillte humbjen e jetëve të tjera dhe do të bënte që trajtimi i problemit tu kthehej organeve të drejtësisë. Dhe në të njëjtën kohë i kërkojmë Ministrisë së Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të saj në shtetin grek që të luajnë një rol aktiv negociues në funksion të dorëzimit të shtetasve shqiptarë dhe garantimit të jetës së tyre, përfundon deklarata e Totozanit./b.l

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›