E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Malaj përkrah idenë e Ramës: INSTAT duhet të jetë i pavarur nga qeveria

malajIsh-deputeti socialist, Arben Malaj, që në zgjedhjet e 23 qershorit kandidoi si i pavarur, ka përkrahur idenë e kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, për ndarjen e INSTAT nga qeveria.

Debati publik i politikës mbi INSTAT-in duhet të ndihmojë të rritet pavarësia reale e tij në funksion të rritjes së cilësisë së statistikave, si një element shumë i rëndësishëm i rritjes së cilësisë së qeverisjes.

Prioritet është edhe eliminimi i manipulimit të tyre, pasi siç tregoi edhe rasti i Greqisë, fshehja e krizës dhe përmasave të saj u bë edhe nëpërmjet manipulimit të statistikave të financave publike.

Debatet aktuale mund të mbajnë më mirë parasysh statusin aktual të INSTAT-it, programet aktuale të asistencës teknike, problematikën e identifikuar rreth cilësisë së statistikave për të qartësuar përmirësimet e nevojshme: a) ligjore, b)institucionale dhe c) të burimeve njerëzore të këtij institucioni të rëndësishëm.

Opozita e djeshme ka paraqitur përpara zgjedhjeve opsione alternative për kornizën institucionale të INSTAT-it, a do të vazhdonte të ishte nën varësinë e kryeministrit, nën varësinë e Këshillit të Ministrave, apo do të ishte nën varësinë e parlamentit. Ndërvarësia institucionale do të ndikonte edhe në procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të strukturave drejtuese të INSTAT, ku përfshihet Këshilli i Statistikave dhe Drejtori i Përgjithshëm, shprehet Malaj.

Diskutimi do të vazhdonte nëse Drejtori i Përgjithshëm do të emërohet nga Kryeministri me propozim të Këshillit të Statistikave apo do të kishte një opsion tjetër që synonte një pavarësi më të madhe nga ekzekutivi. Ndoshta do të rishikohen kriteret përzgjedhëse të Këshillit të Statistikave, duke lënë më shumë hapësira për studiues nga qarqet akademike, shprehet më tej ai. /b.l

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›