Totozani në spitalin e burgut: Mungesë ilaçesh, amortizim të godinës
Tiranë- Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka zhvilluar sot një inspektim në qendrën spitalore të burgjeve në kryeqytet, ku ka vërejtur problematika të shumta. Sipas tij godina është shumë e amortizuar, ka mungesë ilaçesh dhe mbipopullim.
Gjendja e amortizuar e ndërtesës në përgjithësi, veçanërisht lagështia dhe papastërtia në dhoma. Problem emergjent, por fatkeqësisht i pazgjidhur ende pavarësisht rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit ishin mbajtja e personave për të cilët gjykatat kanë vendosur masë mjekësore, trajtimin spitalor, në spital burg. Në disa dhoma kishte mbipopullim. Mungesa e ilaçeve si dhe mungesa e pajisjeve dhe mjeteve elementare të punës për mjekët dhe sanitarët, ishte një tjetër problem i spitalit,- janë disa prej problematikave të vëna re nga Totozani.
Më tej ai ka thënë se në institucionin që drejton ka pasur një sërë ankesash lidhur me mjekimin në këtë qendër spitalore, duke shtuar se të gjitha do të ndiqen nga afër.