Tottenham: Bale na detyroi ta shisnim

Gareth Bale është prezantuar te skuadra e re, Real Madridi, dhe nis kësisoji zyrtarisht aventurën 6-vjecare me mbretërorët madrilenë. Realizimi i një ëndrre ky transferim për anësorin uellsian, dëshira e të cilit për t’u bërë pjesë e “Los Blancos” ka diktuar mbi qëndresën e drejtuesve të Totenhemit për të mos e shitur lojtarin kryesor të tyre.
Presidenti i “Spurs”-ave, Daniel Levy, ka thënë të hënën se nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveçse ta shiste lojtarin, pasi oferta e Realit ishte marramendëse dhe dëshira e Bejl për të kaluar në “Bernabeu” ishte përcaktuese në tratativa. “Bale ishte një nga ata lojtarë që ne nuk kishim asnjë arsye ta shisnim, pasi po mendojmë të ndërtojmë një ekip që do të garantojë sukses në të ardhmen.
Ai është një futbollist që u zhvillua shumë tek ne dhe si klub investuam në karrierën e tij. Nuk prisnim të largohej në vitin e parë të kontratës së re, por këmbëngulja e Realit dhe dëshira e Bale për të luajtur me madrilenët na bënë të mendojmë se ai nuk do të jetë i përkushtuar për sezonin e ri me Tottenham”, – tha mes të tjerash Levy./indeksonline/