E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradita kombëtare, në koncertin Gjerdani i perlave popullore

Gjerdani i perlave popullore është një tjetër traditë ku artistët më të mirë të Ansamblit Popullor dhe folkloristë të vegjël,sollën disa nga pjesët më të bukura të folklorit shqiptar. Në një kohë kur në media apo në tregun muzikor shqiptar mbizotërojnë këngë dhe ritme nga lloje të ndryshme, artistët e ansamblit dhe folkloristët e vegjël sjellin në skenë për publikun një repertor me krijime të traditës kombëtare. Ky koncert i zhvilluar para disa ditësh në skenën e TKOB do të rikthehet sërish për publikun. Një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat

e shqiptare krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë për publikun. Ndërkohë që, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë së lashtë e bashkëkohore, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh. Folku shqiptar shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila ka veçantitë e saj në kostume, këngë, valle, rite, zakone, doke, të cilat edhe brenda një zone kanë origjinalitet të ndryshëm. Ansambli, prej dekadash, është kthyer në një laborator për përpunimin dhe ekzekutimin me kërkesa të larta artistike të këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton brez pas brezi. Ansambli është pjesëmarrës i dhjetëra Festivaleve Ndërkombëtare, Kontinentale dhe Ndërkontinentale, ku me repertorin dhe elementët interpretues, me virtuozitetin e valltarëve, vokalin e këngëtarëve dhe orkestrinën e tij, ka bërë që të jetë një nga Ansamblet më të kërkuara sot në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›