E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantët e armëve mbeten në qeli, avokatët: Arrestimi i paligjshëm pasi u përdor blerja e simuluar

Tetë të arrestuarit për trafik armësh nga Kosova, do të qëndrojnë në burg pa afat me vendim të Gjykatës Penale të Tiranës.

Në qeli do të qëndrojnë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu.

Të tetë të dyshuarit heshtën përpara togave të zeza. Avokatët e tyre pretenduan se arrestimi është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi policia ka simuluar blerjet e armëve.

Mbrojtësit ligjorë thanë se përmes këtyre veprimeve, uniformat blu po i drejtojnë vetë njerëzit drejt krimeve, ndaj i kërkojnë gjykatës faktet penale për secilin nga të dyshuarit.

Një tjetër kërkesë që iu bë trupës gjykuese ishte edhe akt-ekspertiza për armët nëse janë apo jo funksionale.

Gjate operacionit te së premtes, “Puzzle”, blutë e Tiranës kapën 14 armë zjarri, 12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë, si dhe 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.

Hetimi për trafikun e armëve nisi 5 muaj me pare ndërsa me 1 prill në pranga përfunduan edhe dy persona të tjerë.
/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›