E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi i organeve, shpifje e Sheshelit

Analisti izraelit dhe ish-këshilltari i qeverisë së Maqedonisë, Sam Vaknik ka deklaruar se rrëfimi për trafikimin e organeve në Kosovë ishte një shpifje e ultra-nacionalistit serb, Vojislav Shesheli, thekson agjencia e lajmeve INA.

“Rrëfimi ishte shpifur në vitin 1999 nga Vojislav Shesheli, nacionalisti serb, gjatë zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe në Serbi. Shesheli gjatë kohës së asaj fushate kishte deklaruar se disponon me dëshmi për të burgosur serb, të cilët mbahen në vende speciale, ku i janë hequr organet, ndërsa më vonë, sipas tij, një pjesë e madhe e tyre janë vrarë dhe trupat e tyre janë zhdukur. Shesheli atëherë për këtë kishte akuzuar UÇK-në dhe liderin e saj politik Hashim Thaçi”, deklaroi eksperti për çështjet e sigurisë në Ballkan, Sam Vaknin.

Sipas tij, të burgosurit apo pengjet serbe që më pas u lanë të lirë pas luftës asnjëherë nuk kanë dëshmuar diçka të tillë.

“Nga 4 mijë të burgosurit serb që janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, asnjëri prej tyre nuk tha se i janë marrë veshkat dhe asnjëri nuk tha se ka parë diçka të tillë. Ata nuk theksuan se kanë parë transplantim organesh apo tregti organesh. Kjo do të thotë se nuk ka pasur asgjë, dhe kjo nuk ishte përmendur më parë”, thekson Vaknin, duke theksuar se e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimi me organe nga UÇK-ja për herë të parë u dëgjua në nivel ndërkombëtarë nga ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Karla del Ponte dhe më pas nga Dick Marty.

“Ajo që ndoshta njerëzit nuk e dijnë është se Dick Marty dhe Karla del Ponte janë shumë miq të afërt. Shumë është e besueshme se ai ka marrë rrëfimin e saj”, deklaroi analisti Sam Vaknin.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›