Trafikimi i qenieve njerëzore – Në qarkun Shkodër 3 raste në 2025, prefektja: Ka edhe të paidentifikuara

Gjatë këtij viti, në qarkun e Shkodrës janë deklaruar zyrtarisht vetëm tre raste të trafikimit të qenieve njerëzore, një shifër më e ulët se në vitet e mëparshme.
Megjithatë, prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, pranon se, përveç rasteve të evidentuara zyrtarisht, ekzistojnë edhe shumë të tjera të paidentifikuara, që zhvillohen në forma gjithnjë e më të sofistikuara.
“Kemi shumë të paidentifikuara, sepse është gjithnjë e më e vështirë për t’u përcaktuar, për shkak të komunikimit në rrjetet sociale dhe formave të ndryshme të sofistikuara që ky fenomen merr. Nëse më parë e kemi pasur më shumë tek kufiri dhe e kemi pasur më të identifikuar, tani po ndjekim forma të ndryshme për të monitoruar komunikimet, rekrutimet dhe bisedat që të tjerët përdorin,” tha Angoni.
Në kuadër të muajit tetor, i cili shënon fushatën e sensibilizimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në Shkodër janë zhvilluar një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese.
Veprimtaritë e këtij muaji u përmbyllën me një tubim në sheshin para Prefekturës me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të Shkodrës, si dhe me një ekspozitë ku u prezantuan 30 punime artistike të realizuara nga nxënësit. Punimet më të spikatura u vlerësuan me çmime simbolike, si një mënyrë për të inkurajuar brezin e ri në përpjekjet kundër këtij fenomeni.
“Me pikturën time kam dashur të përcjell anën e errët që ka trafikimi në shoqërinë tonë. Është një fenomen për të cilin nuk flitet aq sa duhet,” tha Sara Skollaj, fituese e çmimit të parë nga gjimnazi “Jordan Misja” në Shkodër.
Pavarësisht uljes së rasteve të deklaruara, trafikimi i qenieve njerëzore mbetet një problematikë serioze, që kërkon bashkëpunim dhe angazhim të vazhdueshëm nga institucionet dhe shoqëria.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/