E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhafaj në Kuvend: Sfidat e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të mëdha. Reforma ka sjellë transformim të thellë institucional

Kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij gjatë seancës plenare të sotme, u ndal tek shqyrtimi i veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vitin 2024.

Xhafaj theksoi se analiza e veprimtarisë së këtyre tre institucioneve tregon se sfidat në qeverisjen e sistemit të drejtësisë mbeten të mëdha, duke ndikuar jo vetëm në efikasitetin e punës së institucioneve, por edhe në imazhin dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.

“Në këto seanca ku raportojnë KLGJ, KLP dhe ILD, tri institucione kyçe të arkitekturës së re të drejtësisë – në thelb ne debatojmë për një çështje themelore për shtetin e së drejtës: mirëqeverisjen e sistemit të drejtësisë”, u shpreh Xhafaj.

Ai nënvizoi se reforma në drejtësi ka qenë akti themeltar që i ka dhënë sistemit një arkitekturë të re, të bazuar mbi pavarësi, integritet dhe vetëqeverisje institucionale. Sipas tij, reforma ka synuar të ndarë qartë përgjegjësitë mes politikës dhe drejtësisë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen politike në sistem, por njëkohësisht duke kërkuar llogaridhënie ndaj shoqërisë.

“Projekti kushtetues i reformës në drejtësi ka realizuar një transformim të madh institucional, duke i dhënë sistemit të drejtësisë autonomi të plotë kushtetuese dhe mekanizma të funksionimit të pavarur. Ishte një zgjidhje moderne, e nevojshme dhe në përputhje me standardet e vendeve europiane. Në thelb të reformës qëndron parimi se drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika, por as nuk mund të funksionojë pa llogaridhënie publike”, tha Xhafaj, duke shtuar se kjo mbetet sfida më e madhe për ILD-në, Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin.

Ai kujtoi se ndarja e sistemit në dy këshilla të veçanta,  KLGJ dhe KLP, ishte një zgjidhje e menduar thellë, e cila ka pasur mbështetjen e plotë të Komisionit të Venecias, pasi ruan balancat mes gjyqësorit dhe prokurorisë. Xhafaj theksoi se, ndonëse janë bërë hapa të rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe funksional, sfidat në qeverisjen, koordinimin dhe llogaridhënien institucionale kërkojnë ende përpjekje të vazhdueshme, në mënyrë që reforma të përmbushë plotësisht pritshmëritë e qytetarëve dhe standardet europiane.

“Prokuroria dhe gjyqësori kanë mekanizma të ndryshëm veprimi dhe secili duhet të ketë organin e vet qeverisës. Për këtë arsye, kompetenca e inspektimit dhe kontrollit të sistemit të drejtësisë iu besua një institucioni të pavarur monokratik, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›