Trafiku i armëve në Çad, akuza hesht

TIRANË - Deklaratat e opozitës që hedhin dyshime për një tregti të paligjshme armësh mes Shqipërisë dhe Çadit, nuk merren në konsideratë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila nuk është në gjendje të kthejë një përgjigje rreth kësaj çështjeje. Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës i thanë dje “Korrierit”, se nuk janë në dijeni të një deklarate të tillë. Të pyetur lidhur me qëndrimin e hetimit rreth deklaratës së deputetit të Partisë Aleanca Demokratike, Pirro Lutaj, i cili pak ditë më parë tha se “unë kam indikacione që Shqipëria ka çuar armë në Çad”, zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme deklaroi se nuk ka asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje. Holta Zhiti, zëdhënësja e organit qendror të akuzës, tha se “askush në këtë institucion nuk është njohur me këtë deklaratë”. Kjo deklaratë e zyrës së shtypit lë të kuptohet se kjo çështje do të vazhdojë të qëndrojë pezull, edhe pse ekziston një deklaratë publike nga një deputet, i cili hedh hije dyshimi rreth marrëdhënieve që Shqipëria ka me vendin afrikan. Nga ana tjetër, prej disa kohësh qeveria shqiptare po diskuton mundësinë e dërgimit të rreth 60 trupave paqeruajtëse në Çad, çështje e cila ka sjellë dhe debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Pirro Lutaj, një nga kundërshtarët më të ashpër të kësaj ideje gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ka kërkuar shpjegime nga ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes rreth marrëdhënieve që vendi ynë ka me një vend afrikan si Çadi, i cili për një periudhë të gjatë kohe ka qenë në luftë civile. “Para se të çojmë trupa, kërkova të më japin sqarime për marrëdhëniet që ka pasur më para shteti ynë me Çadin. Kanë çuar më parë gjëra të tjera apo jo? Unë kam indikacione që janë çuar armë. Doja përgjigje dhe këta nuk flasin. Çfarë aktiviteti tjetër ka ushtruar shteti ynë me Çadin? Ata vazhdojnë të bëjnë demagogji edhe pas Gërdecit”, - i tha Lutaj “Korrierit” pak ditë më parë, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Edhe pse ka kaluar rreth një javë nga kjo deklaratë publike, e cila hedh dyshime për një trafik të mundshëm armësh me vendin afrikan, asnjë strukturë hetimore nuk ka reaguar rreth kësaj çështjeje. Prokuroria e Përgjithshme, si organi më i lartë hetimor, thotë se ende nuk është në dijeni të një deklarate të tillë, “shkëndijë” e mjaftueshme kjo për të nisur një hetim paraprak rreth çështjes. Puna e prokurorisë në këtë rast bëhet më e thjeshtë, pasi grupi i prokurorëve që po heton rreth çështjes “Gërdeci” ndër të tjera ka sekuestruar edhe gjithë arkivin e ndërmarrjes “Meico”, nga ku mund të dalë nëse Shqipëria i ka shitur armë një vendi në luftë civile si Çadi.