E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në shkolla, një gjimnazist nën hetim

Pas publikimit të sherreve masive në ambientet shkollore, policia arriti të identifikojë protagonistin kryesor dhe ta marrë atë nën hetim. Të tjerë gjimnazistë në syrin policor të vëzhgimit

TIRANË – Dhuna në shkollat e mesme të kryeqytetit ka tashmë një gjimnazist të identifikuar, i cili është nën hetim, pasi herë pas here bëhet protagonist. Burime zyrtare pranë policisë së Tiranës bëjnë të ditur për “Korrierin”, se hetimet pas publikimit të videove të dhunës në gjimnazet e kryeqytetit vazhdojnë dhe kanë tashmë personat të cilët po mbahen nën vëzhgim e po hetohen. Por, për shkak se hetimet janë ende në një fazë delikate, as emri i gjimnazistit i marrë nën hetim dhe as shkolla në të cilën ai studion nuk mund të bëhen publik. “Deri tani kemi një person konkret, i cili është vënë nën hetim, por që nuk mund të jepen më tepër detaje për shkaqe hetimore”, saktësojnë burimet. Ndërkohë që mësohet se të tjerë të rinj janë drejt identifikimit dhe se puna për zbardhjen e implikimit të tyre në sherret e grindjet e shpeshta në shkolla vazhdon. Hetimet e policisë së Tiranës nisën menjëherë pas publikimit të disa skenave dhune të publikuara fillimisht në internet e më pas në gazetën “Korrieri”. E pas afro një muaji hetimesh, tashmë është identifikuar një person dhe gjimnazi në të cilin ai studion, dhe ka të tjerë adoleshentë, fytyrat e të cilëve duken qartë në pamjet filmike. Pas fazës së parë, e cila nisi me verifikimin nëse pamjet e regjistruara u përkisnin ose jo shkollave të kryeqytetit, tashmë kjo fazë ka të bëjë me verifikimin e çdo gjimnazisti pjesëmarrës në sherret dhe rrahjet masive, e më pas vënia nën hetim e secilit prej tyre. Ndërkohë që ky është rasti i parë i cili po ndiqet penalisht, pasi deri dje në policinë e Tiranës nuk kanë mbërritur pothuajse kurrë denoncime të këtyre rasteve, edhe pse këta të fundit kanë qenë të shpeshta. Të pyetur disa javë më parë, prokuroria e kryeqytetit pati siguruar se që nga momenti i marrjes së materialeve dhe verifikimeve nga ana e policisë, do të nisë menjëherë nga puna. Dhe pas hetimeve të policisë, janë specialistë të organit të akuzës, ata që po merren në mënyrë më të detajuar me hetimet dhe me emrat konkretë, ndaj të cilëve shumë shpejt do të merren edhe masa ndëshkimore, në bazë të ligjit. Vetëm disa ditë para nisjes së hetimeve, “Korrieri” publikoi disa prej pamjeve që mund të shikohen dhe në sitin online, në “www.youtube.com”. Aty shiheshin qartë skena rrahjesh barbare, gjak pafund e të tjerë nxënës që rrinin e bënin sehir, madje dhe duke regjistruar dhunën me celular.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›