E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikuan një vajzë në Kosovë, mbyllet hetimi

 

Historia e vajzës që u shfrytëzua për prostitucion çon në gjykatë autorët

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy të pandehurve në mungesë, Klodian Azizaj dhe Ridvan Lushi. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar dhe trafikuar vajzën me iniciale M.B. nga Berati në Kosovë, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Prokurori i çështjes, Bardhok Lleshi, pas hetimeve disa mujore, arriti të mbyllë dosjen në ngarkim të dy të pandehurve, Azizaj dhe Lushi që mendohet se fshihen në Kosovë për t’i shpëtuar arrestimit. Sipas kërkesës për gjykim, ka qenë i pandehuri Klodian Azizaj ai që në shkurt të vitit 2006 është njohur në një dasmë me vajzën me iniciale M.B. në rrethin e Beratit, ku pas njohjes dhe shkëmbimit të numrave të telefonit kanë filluar komunikimet mes tyre. Pas disa kohësh, i pandehuri Azizaj ka shkuar në fshatin ku banonte vajza, në shtëpinë e të pandehurit Ridvan Lusha ku pas bisedave dhe takimeve të shpeshta mes tyre i pandehuri Azizaj i ka mbushur mendjen viktimës duke e mashtruar për martesë dhe një jetë të lumtur mes tyre jashtë shtetit. Vajza ka pranuar të shkojë me të në Kosovë, ku i pandehuri Azizaj bashkë me pronarin e lokalit me emrin Bekim i kanë thënë asaj se ditën do të punonte kameriere dhe natën do të flinte me klientë të ndryshëm, kundrejt 50 eurove. Fitimet nga kjo punë i merrte i pandehuri Azizaj por nuk zgjati shumë, pasi policia e Kosovës arrestoi dhe riatdhesoi në Shqipëri vajzën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›