E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shkëlqyer

Rais i premton Kosovës një të ardhme të shkëlqyer me mbështetjen amerikane

“E ardhmja e Kosovës do të jetë e shkëlqyer, pasi ajo ka popull të vendosur, miq dhe qeveri të vendosur.” Ishte kjo deklarata e sekretares amerikane të shtetit Kondolesa Rais, pas takimit që zhvilloi dje me krerët e shtetit më të ri të Evropës, në Uashington. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u takuan për herë të parë me shefen e diplomacisë amerikane, si krerët e Kosovës së pavarur. Vetë Rais e cilësoi historike këtë vizitë dhe

përsëriti angazhimin amerikan për Kosovën, duke shprehur njëkohësisht besimin se institucionet e Kosovës do të ndërtojnë një demokraci shumë etnike dhe të garantojnë respektimin e pakicave. Pas takimit, Rais, Sejdiu dhe Thaçi mbajtën konferencë te përbashkët për mediat ku u veçua vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës pranë flamurit të SHBA-ve.  Duke komentuar kundërshtimin e disa vendeve ndaj pavarësisë së Kosovës, shefja diplomacisë amerikane përsëriti se Kosovën tashmë e njohin mbi 40 shtete, njohje e cila do të vazhdojë me vende të tjera, dhe shtoi se Kosovën e pret një e ardhme e shkëlqyer. Sekretarja Rais vazhdoi duke thënë se SHBA-të do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën, duke përmendur shumën pre 400 milionë dollarësh, të ofruar në Konferencën e Donatorëve, ndërsa përmendi se vetëm gjatë 10-vjeçarit të fundit, ndihma amerikanë për Kosovën kap shifrën prej 1 miliardë dollarësh. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, sekretarja amerikane e shtetit foli dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë. “Kosova dhe Serbia do jenë pjesë e shtëpisë evropiane dhe do bëjnë reformat e nevojshme për të qenë pjesë e së ardhmes së Evropës”- tha Rais. Ndërsa presidenti Sejdiu pas takimit, premtoi angazhimin e institucioneve kosovare për ndërtimin e një Kosovë, që do të jetë atdheu i të gjithëve. “Shprehëm falënderime por edhe dhe zotimet tona se do të vazhdojmë me këtë qasje. Kemi objektiv te ndërtojmë një Kosovë -atdhe i të gjithëve. Për ne do të jetë po ashtu edhe kjo një kthesë e veçantë në kuptim të ringjalljes ekonomike të Kosovës dhe në synimin që Kosova të bëhet faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon” tha Sejdiu. Edhe kryeministri Thaçi shprehu falënderimet e tij ndaj mbështetjes amerikane për shtetin e ri. “Kosova sot është vend i paqes, i stabilitetit dhe i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me vendet e rajonit dhe në të ardhmen edhe me Serbinë, Kosova ka arritur progres në periudhën gjashtëmujore pas pavarësisë . Kjo është një vizitë dhe takim historik, sepse është delegacioni i parë i shtetit të Kosovës që viziton Uashingtonin. Populli dhe institucionet e Kosovës përulen para qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e treguar”, përfundoi Thaçi. Vizita parë e delegacionit shtetëror të Kosovës në Uashington kulmon të hënën, në takimin e presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi me presidentin amerikan Xhorxh Bush.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›