E Martë, 3 Nëntor 2026

Tragjedi në Marok/ Tërmeti me magnitudë 6,8 vret mbi 1.000 njerëz, qindra të plagosur

Përmbledhje:

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,8 goditi Marokun natën e së premtes, duke vrarë mbi 1.030 njerëz dhe duke dëmtuar ndërtesa në qytetin historik të Marakeshit.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) njoftoi se ky është tërmeti më i fortë që godet këtë pjesë të Afrikës Veriore prej më shumë se një shekulli.

Lëkundjet katastrofike ndodhën në vargmalin malor të Marokut pas orës 23:00 me kohën lokale në një thellësi relativisht të ulët prej 18,5 kilometrash. Epiqendra u përcaktua rreth 72 kilometra në jug-perëndim të Marakeshit, një qytet me rreth 840 mijë banorë dhe një destinacion popullor turistik.

Të paktën 1.200 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe me qindra janë në gjendje kritike për jetën, njoftoi të shtunën Ministria e Brendshme e Marokut.

Shumica e jetëve të humbura u regjistruan në zonat malore ku arrihej me vështirësi, thanë autoritetet dhe ekipet e shpëtimit.

“Ju kujtojmë që të tregoni kujdes dhe të merrni masa sigurie për shkak të rrezikut të pasojave,” shkroi ushtria marokene në rrjetin social X.

Televizioni Al-Aoula njoftoi të shtunën se shumë ndërtesa janë rrëzuar pranë epiqendrës dhe mijëra njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre, pasi Instituti Kombëtar i Gjeofizikës paralajmëroi për paslëkundje të tjera të forta.

Qyteti i vjetër i Marakeshit ka një histori afro 1-mijëvjeçare dhe mbrohet si trashëgimi botërore nga UNESCO.

Ish-qyteti perandorak është i mbushur me pallate të epokës mesjetare, xhami, kopshte dhe tregje të ngushta. Qendra e vjetër e qytetit është e rrethuar me mure prej balte të kuqe dhe e mbushur me ndërtesa të ndërtuara me gur ranor të kuq, të cilat i kanë dhënë qytetit pseudonimin “qyteti i kuq”.

Muret u shtruan për herë të parë në fillim të shekullit të 12-të dhe disa nga rrugicat e ngushta janë dëmtuar nga tërmeti.

Para pandemisë së COVID-it, Marakeshi tërhiqte gati tre milion turistë në vitin 2019. Përveç kulturës dhe historisë së pasur, Marakeshi është gjithashtu qyteti i katërt më i madh i Marokut dhe një qendër kryesore ekonomike.

Lëkundje të forta u ndjenë edhe në kryeqytetin Rabat, rreth 350 km më në veri të epiqendrës. /CNN

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›