Tragjedi në azil në Milano/ 6 të moshuar humbin jetën nga zjarri, 81 të plagosur

6 të moshuar humbën jetën, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një shtëpi të moshuarish në Milano, ndërsa 81 të tjerë u dërguan në spitale për shkak të asfiksisë nga tymi.
Siç bëjnë me dije autoritetet italiane, dy nga personat u dogjën nga flakët në dhomën ku nisi zjarri, ndërsa katër të tjerët humbën jetën, si pasojë e bllokimit të frymëmarrjes nga tymi i madh që u shpërnda në dhomat e tjera.
Zjarri shpërtheu pak pas mesnate në katin e parë të rezidencës për të moshuar, ku qëndronin në total rreth 200 persona.
Punonjësit lokalizuan menjëherë zjarrin dhe flakët nuk u përhapën në ambientet e tjera.
Sa i takon shkaqeve të zjarrit, autoritetet kanë bërë me dije se kanë nisur hetimet, megjithatë paraprakisht besohet të jenë aksidentale.