E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tragjedia në Tempi, Parlamenti grek i hap rrugën hetimit të ish-ministrit të Transportit

Ish-ministri grek i Transportit, Kostas Karamanlis, mund të hetohet mbi rolin e tij në aksidentin hekurudhor në shkurt të 2023-shit në Tempi, ku 57 persona humbën jetën.

Në një seancë plotë  debate e tensione, parlamenti grek votoi sot lejimin e hetimit të deputetit.

Sipas ligjit grek, vetëm parlamenti i vendit mund të hetojë akuzat për sjellje të pahijshme kundër ish-ministrave.

Votimi i hap rrugën një Komisioni të Posaçëm Parlamentar që do të përcaktojë nëse imuniteti i Karamanlisit duhet të hiqet, në mënyrë që ai të përballet me padi penale.

Nga ana e tij, Karamanlisi deklaroi se është i pafajshëm, ndërsa kërkoi që çështja të referohej si në komision ashtu edhe më pas te autoritetet gjyqësore.

Kishte tre propozime të ndara për hetimin e katastrofës hekurudhore: propozimi i Demokracisë së Re që synonte vetëm Karamanlisin dhe akuzat për krime të rënda; propozimi i opozitës kryesore Pasok e cila përmendi tetë figura politike; dhe një propozim i tretë, i paraqitur nga qytetarë, përfshirë një të afërm të viktimës dhe i mbështetur nga parti më të vogla dhe ligjvënës të pavarur, që synonte 11 figura politike, përfshirë vetë kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, me akuza për tradhti të lartë.

Por parlamenti, votoi pro propozimit të partisë në pushtet. Ky propozim u konsiderua nga partitë opozitare se kanë qëllim shmangien e akuzave për krime kundër anëtarëve të qeverisë.

Vitin e kaluar, qeveria hodhi poshtë një thirrje nga prokurori publik evropian për të ndërmarrë veprime në lidhje me përvetësimin e mundshëm të fondeve të kryer nga Karamanlis.

Kujtojmë se në shkurt të 2023-shit, një tren pasagjerësh që transportonte 350 persona u përplas me një tren mallrash pasi të dy përfunduan në të njëjtën linjë, duke bërë që vagonët e përparmë të shpërthejnë në flakë. Si pasojë e përplasjes 57 persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Pas tragjedisë, Ministri i Transportit dha dorëheqjen, duke thënë se do të merrte përgjegjësinë për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhor që nuk ishte i përshtatshëm për shekullin e 21-të. Ndërkohë, qeveria greke premtoi atëherë një hetim të pavarur.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›