E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 70% e nxënësve të Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë tashmë të punësuar

Në ambientet e Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë, maturantët kanë organizuar një aktivitet festiv për të shënuar përfundimin e ciklit të mesëm arsimor.

Me emocionin e një kapitulli që mbyllet dhe sigurinë e hapave të parë drejt jetës profesionale, të rinjtë ndanë me përvojën e tyre, duke vlerësuar arsimin që kanë ndjekur si zgjedhjen më të mirë për të ardhmen e tyre.

“Unë kam mbaruar për Hoteleri -Turizëm, kjo degë ka shumë mundësi punësimi, si këtu edhe në sezon. Kam qenë në shumë hotele dhe restorante në Korçë të cilat janë me pagë të kënaqshme“, shprehet studenti.

“Gjatë kohës që kam studiuar kam kryer edhe punën. Shkolla më ka ofruar shumë mundësi për t’u punësuar në qytetin e Korçës, por edhe jashtë saj duke lidhur kontrata”, shprehet studenti. .

Drejtoresha e shkollës, Tatjana Mero, thekson se nga viti në vit po rritet ndjeshëm numri i nxënësve që arrijnë të punësohen apo vetëpunësohen që gjatë shkollimit.

“Vit pas viti, edhe numri i nxënësve që janë të punësuar është në rritje. Janë rreth 70 përqind të nxënësve që janë të punësuar apo vetëpunësuar në biznese të të tjerëve, ato partnere të shkollës, por edhe në biznese të tjera të cilat u ofrohen shkollës dhe kërkojnë bashkëpunim për të marrë nxënës profesionistë“, tha drejtoresha.

Në një treg pune gjithnjë e më kërkues, arsimi profesional mbetet një alternativë reale, konkrete dhe e suksesshme për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen mbi dije, aftësi dhe mundësi punësimi.

Gazetare Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›