E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjike, 3 anëtarë të së njëjtës familje mbyten në det, vajza e vogël në gjendje kritike

Tre anëtarë të së njëjtës familje kanë humbur jetën pasi u futën në vështirësi në ujërat pranë Shoreham-by-Sea, në West Sussex, Britani, gjatë pasdites së të martës.

Policia e Sussex bëri të ditur se viktimat janë një çift dhe vajza e tyre adoleshente. Ndërsa vajza tjetër, më e vogël, pjesë e së njëjtës familje, është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.

Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 14:40 për katër persona që ndodheshin në vështirësi në ujë pranë Shoreham Fort. Sipas policisë, të katër besohet se kishin hyrë në det nga toka për të notuar.

Ekipet e rojes bregdetare dhe të RNLI-së ndërhynë për nxjerrjen e tyre në breg. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore, një burrë, një grua dhe vajza adoleshente u konfirmuan të vdekur.

Një operacion i gjerë kërkimi u zhvillua në zonën detare, ndërsa në vendngjarje u mobilizuan një numër i madh ambulancash dhe ekipesh të emergjencës. Policia konfirmoi se familjarët e viktimave janë njoftuar.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për të sqaruar rrethanat e sakta të tragjedisë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›