Trajkovic: Trimëri e madhe, dalja në zgjedhjet e 3 nëntorit

Deputetja e Listës Unike Serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic, ka thënë se aktualisht trimëria më e madhe është të dalësh në zgjedhjet lokale të Kosovës, të përzgjidhen më të mirët që do të ndërtojnë institucionin e Bashkësisë së komunave serbe .
Trajkovic për një televizion lokal në Serbi, ka deklaruar se serbët nga Kosova nuk kanë alternativë tjetër, përveç se të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit bashkësia ndërkombëtare po përcjell realizmin e saj. Ndër të tjera këto marrëveshje nënkuptojnë edhe daljen e serbëve në zgjedhjet lokale, që do të thotë legalizim dhe legjitimim i serbëve në Kosovë, përmes Bashkësisë së komunave serbe”, ka vleresuar Trajkovic.
Ajo ka thënë se i kupton plotësisht serbët nga veriu i Kosovës, të cilët e kanë vështirë të pranojnë institucionet e Prishtinës, sepse ata tash i kanë institucionet e shtetërore të Serbisë.
Trajkovic, siç transmeton Beta, ka thënë se “Kuvendi” ( i formuar së fundmi në veri) nuk do të ketë perspektivë sepse nuk do të guxojë ta financojë dhe ai gradualisht do të shkrihet, kurse në atë kuvend ka një numër të madh të njerëzve përgjegjës dhe të arsimuar.
Zgjedhjet e 3 nëntorit Trajkovic i ka cilësuar si shumë të rëndësishme, derisa të konstituohet Bashkësia e komunave serbe. “Kur të krijojmë institucionet e Bashkësisë, atëherë më nuk do të jetë problem që në zgjedhjet e ardhshme të dalin njerëz me bindje të ndryshme politike”, ka hënë Trajkovic./Indeksonline/