Trajnerët që befasuan

Trajneri i futbollit sot është një prej punëve më të paguara dhe gjithçka duket në rregull nëse quheni Jose Mourinho ose Fabio Capello, por rruga drejt suksesit për shumicën e strategëve është tepër e vështirë.
Përveç shpërthimeve të futbollistëve, çdo sezon sjell dëshmi definitive për disa trajnerë të rinj të talentuar, të cilët janë tema kryesore e këtij shkrimi. Në të përfshihet strategu i suksesshëm i Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp por edicioni i fundit ka sjell edhe emrat e Antonio Contes, Vincenzo Montellas, Juan Ignacio Martinezit, Diego Simeones, Alan Pardeë, Rene Girard, Lucien Favre dhe Frank de Boer.
Antonio Conte – Juventus
Trajner i cili hyri në sezon me më së paku përvojë nga anëtarit e tjerë të kësaj liste, dhe për këtë arsye suksesi i tij konsiderohet i jashtëzakonshëm. Conte udhëhoqi Juventusin drejt titullit të kampionit në Serie A, krijoi futboll atraktiv me skuadrën të cilës para fillimit të sezonit, pak kush i kishte dhënë gjasa për të triumfuar ndaj Milanit. Bianconerët u kthyen sërish në fron kurse Conte përveç triumfit në ligë, ka arritur të dërgojë skuadrën edhe në finale të Coppa Italia ku do të takohet me Napolin. Karakteristikat të cilat ia ka transmetuar ekipit janë: energjia, përcaktimi dhe qasja pozitive.
Vincenzo Montella – Catania
Legjendari Aeroplanino, golgeteri shumëvjeçar i Romës, pas aventurës së shkurtër në krye të ish skuadrës së tij, mori drejtimin e Catanias. Objektivi ishte sigurimi i mbijetesës në Serie A, synim të cilin ai e tejkaloi fuqishëm. Mbijetesa u siguria para disa muajsh kurse nëse nuk do të kishte ngjarë një rënie në javët e fundit, Catania në edicionin e ardhshëm do të luante në garat evropiane. Për dallim nga Conte, Montella me përmbajtjen e tij në bankinë i ngjanë shumë Capellos. Sipas gjitha gjasave, shumë shpejt do të marrë një skuadër të madhe.
Juan Ignacio Martinez – Levante
Deri në verën e shkuar, Juan Ignacio Martinez udhëhoqi skuadra nga Segunda Division, Albacete, Salamanca dhe Cartagena. Por, më pas drejtimin e Levantes, ekip që aso kohe vlente 36 milionë euro. Martinez tejkaloi të gjitha parashikimet dhe pas dhjetë xhirove të para ishte lider në tabelë, duke mposhtur edhe Real Madridin. Tani ka mbetur në gjashtë pozitat e para, që mund të konsiderohet sukses i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh futbollistët që ka në dispozicion. Gjithçka i shkoi për dore.
Diego Simeone – Atletico Madrid
Një tjetër ish futbollist i cili ka dëshmuar se para vetes ka karrierë të ndritur si trajner. E mori drejtimin e skuadrës pak para përfundimit të vitit 2011, në gjendje shumë të vështirë, me futbollistë të demoralizuar, më tepër të rrezikuar me rënie nga liga se kualifikim në garat evropiane. Por, ai e udhëhoqi skuadrën drejt gjashtë pozitave të para në La Liga kurse së fundmi triumfoi në Europa League duke mposhtur në finale Athletic Bilbaon me rezultat bindës 3-0. Simeone nga futbollistët e tij ka kërkuar atë që e tregoi vetë në fushat e lojës: aftësi luftarake me elemente teknike, dhe deri më tani po i shkon shumë mirë.
Rene Girard – Montpellier
Rene Girard, edhe pse 58 vjeç, deri më tani si përvojat e tij më të mëdha si trajner mund ti përmend udhëheqjen e ekipeve U-21 dhe U-19 të Francës. Në verën e vitit 2009 mori drejtimin e Montpellierit dhe e udhëhoqi drejt aktualisht pozitës së parë në Ligue 1. Me një skuadër modeste por që së bashku përbëjnë një grup të fuqishëm, Girard dhe Montpellier janë pranë shënimit të historisë. Girard ka treguar se është në gjendje të nxjerr maksimumin nga futbollistët e tij.
Alan Pardew – Newcastle
Kur në vitin 2010, kryesia e Newcastles shkarkoi trajnerin Chris Hughton, tifozët e klubit vetëm sa nuk ndezën zjarr. Në një gjendje të tensionuar në St James Park erdhi Adam Pardew. Ai përveç se ktheu skuadrën në Premierligë, brenda vitit të fundit u shndërrua në kandidat për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Sa për të dëshmuar kualitetet e Pardews dhe suksesin e tij në krye të Newcastles, ditë më parë ai u zgjodh menaxheri më i mirë i vitit në Premierligë.
Lucien Favre - Borussia M’gladbach
Lucien Favre më 2011 braktisi Hertha Berlinin dhe mori drejtimin e Borussia Monchengladbachut kur shumë analistë e shihnin skuadrën në Bundesliga 2. Por, Favre bëri punë të mrekullueshme dhe me një seri fitoresh e shpëtoi skuadrën. Këtë edicion e ndërtoi suksesin fillestar duke përfunduar në pozitën e katërt që do ti mundësojë ekipit të luftojë për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Frank de Boer – Ajax
Pas karrierës së shkëlqyeshme si futbollist, Frank de Boer hyri shpejt në rrugën e trajnerit. Në fund të vitit 2010 mori drejtimin e Ajaxit. Klubi nuk ishte në gjendjen më të mirë por ai shumë shpejt ktheu gjithçka në vendin e vet. Në pjesën e mbetur të sezonit arriti të ngrit skuadrën të përfundojë në pozitën e dytë kurse në atë tjetrën e edhe këtë të fundit, fitoi titullin e kampionit në Eredivisie. Te triumfi i sivjetmë erdhi falë serisë prej 14 fitoreve të njëpasnjëshme.