E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina do fitore për ta ruajtur kreun

Prishtina synon të vazhdojë me fitore edhe kundër Besës dhe kështu ta ruajë kreun e tabelës. Mirëpo, pejanët shpresojnë që pas Vëllaznimit, probleme t’i shkaktojnë edhe liderit.

Lideri i Superligës, Prishtina të dielën do të ketë një punë shumë të vështirë për të mbajtur kreun e tabelës, pasi në shtëpi do ta presë rivalin e vjetër, Besën e Pejës.

Kapiteni i Prishtinës, Azem Ahmeti ka thënë se skuadra e tij është shumë e përgatitur dhe e motivuar për takimin kundër Besës, pasi dëshirojnë të vazhdojnë me lojëra të mira dhe ta ruajnë kreun e tabelës.

“Ne jemi të përgatitur shumë mirë për këtë takim dhe do të shënojmë fitore kundër Besës. Ne po ashtu shpresojmë që do t’i fitojmë edhe ndeshjet e tjera të mbetura dhe në fund të shpallemi kampion”, u shpreh Ahmeti.

Skuadra pejane, e cila nuk ka qenë stabile këtë sezon, synon që në ndeshjet e fundit të ndreqë bilancin dhe pas Vëllaznimit ajo synon ta mposhtë edhe Prishtinën.

Sulmuesi pejan, Haxhi Zeka ka thënë se ndeshjet me bardhekaltrit janë gjithmonë të vështira, por ka pohuar se skuadra e tij në kryeqytet do të udhëtojë për të marrë një rezultat pozitiv.

“Ndeshja me Prishtinën është gjithmonë e vështirë, e sidomos në këto momente, kur ata janë në vendin e parë. Mirëpo, ne presim që në kryeqytet të luajmë një ndeshje të mirë, ashtu sikurse kundër Vëllaznimit dhe në fund nga kryeqyteti të kthehemi me një rezultat pozitiv”, tha kapiteni i skuadrës pejane.

Kandidati tjetër për titull, Trepça ’89 nuk pritet që të ketë ndeshje të vështirë kundër Dritës, pasi skuadra gjilanase i ka humbur gjasat për titull. Ndërsa Vëllaznimi do të ketë një përballje më të vështirë kundër Hysit, që pas tri pikëve të fituara në tavolinë kundër Gjilanit, është rikthyer në luftën për titull.

Leonard Hajdaraj

Superliga – xhiroja e 29-të

E diel

Prishtina – Besa 15:15

Vëllaznimi – Hysi 16:00

Drenica – Lepenci 16:00

Trepça ’89 – Drita 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›