E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajnerët, tregu “bllof” në futbollNumri i atyre që ulen në bankinat e Superiores Shqiptare në sezonin 2008-2009 arriti në 23, pa llogaritur këtu edhe dy të rinjtë që këto ditë do të marrin timon e Dinamos dhe të Elbasanit.

Nga AGRON KAJA- U deshën 19 javë kampionat, ose më saktë, të niste “kësti i dytë” i Kategorisë Superiore, që rrethi i trajnerëve në këtë kategori të ngushtohej në maksimumin e tij. Sepse pikërisht në këtë javë u larguan dy trajnerë njëherësh, sikundër edhe në javën e 3-të që u larguan Iljaz Haxhiaj nga Besa dhe Faruk Sejdini nga Bylisi, apo edhe në javën e 8-të kur Hasan Lika la bankinën e Partizanit dhe Saimir Malko atë të Lushnjës. Kështu, numri i atyre që ulen në bankinat e Superiores Shqiptare në sezonin 2008-2009 arriti në 23, pa llogaritur këtu edhe dy të rinjtë që këto ditë do të marrin timon e Dinamos dhe të Elbasanit.

Dhe kjo statistikë ndoshta nuk duhet të nënvleftësohet në këto momente, së pari për pasojat që i lë futbollit tonë superior ky treg informal me trajnerë informalë. Sepse në rast se do ta shohim këtë fenomen trajnerësh në këndvështrimin e një tifozi në skuadër, duket sikur kemi gjetur atë ilaç që i duhet rezultatit më të mirë. Por në rast se këtë fenomen do ta vështrojmë në aspektin e cilësisë që kërkon futbolli ynë i brishtë, kjo duket si një telenovelë e vjetërruar, së cilës i është mësuar fillimi dhe fundi. Kësisoj, duket qartë se ekziston një treg dhe një ç’organizim, të cilët duken informalë në formë dhe në përmbatje, ku realisht “luajnë” ata që futbollin e kanë kthyer në “çil e mbyll”.

Trajneri

Në gjithë hapësirën e futbollit shqiptar, shohim një lojë bajate me këtë emër, e cila mesa duket i ka rrënjët tek morali i dobët profesional që kjo kategori bart në përgjithësi, si edhe tek amullia që ekziston në tregun e gjetjes dhe të vendosjes së tyre në drejtim e skuadrave. Kjo lojë që e informalizon shumë këtë post, por edhe që i zhvesh qartë se sa vlejnë disa prej tyre që prishin edhe tregun, më shumë është një bllof mbi futbollin, një lojë që në sezonet e fundit nuk ka një seriozitet se ku nis dhe ku bitis.

Si përzgjidhen

Është fare e qartë se këtë përzgjedhje e bëjnë presidentët, e në mungesë të tyre drejtuesit e klubeve, të cilët nisur ndoshta nga emri i një trajneri, apo nisur edhe nga tarafe të tjera, vendosin në pankinën e skuadrës së tyre një trajner. Thonë se ka një “lob” në Tiranë që i bën pazaret e trajnerëve në një kafene, dhe prej aty mund të mësosh se ku do të shkojë X-i dhe kur do të shkarkohet Y-ni. Pra, ekziston një konkurencë absolutisht e padrejtë, ku shpesh kuptohet se kush specialist futbolli del i fituar! Ndërsa kriteret e vendosjes së një trajneri në këtë post janë shumë të sakta, por kush pyet për kriteret, edhe në se i plotëson X trajner, kur ai është shumë i paaftë, ku ndoshta atë një vit më parë, nga rreth 60 trajnerë në Kursin B të UEFA-s, vetëm  9 prej tyre u vlerësuan pozitivisht në testin e parë, ndërsa për pjesën tjetër u la një test i dytë, ose u dha urdhër për ndonjë të veçantë që t’i jepej licenca se kishte gati një ofertë. Nisur nga ky fakt, kujtojmë se në kampionatin e kaluar, bankinat e 12 skuadrave u drejtuan nga mbi 30 trajnerë, që do të thotë se edhe ky kampionat po ecën në të njëjtën rrugë informaliteti. Kjo është njerë nga format e përzgjedhjes së trajnerëve, kuptohet jo për të gjithë.

Sa japin

Nuk mund të mendosh se një trajner do të japë efektet e punës së tij për një periudhë një, dy apo tre mujore. Jo vetëm në Superiore nuk mund të ndodhë kjo, por as edhe në kategoritë e tjera më të ulta ku normalisht niveli është edhe më i ulët. Por kur një trajner hidhet e dridhet në dy–tre skuadra gjatë një sezoni, sikur edhe Kapelo të ishte ai nuk do të kishte asnjë sukses në skuadrat shqiptare, ku realisht mungojnë shumë talentet që bëjnë diferencën dhe i bëjnë zgjidhje situatave në lojë edhe pa trajnerin. Nga ana tjetër, është e vështirë të mësosh se një trajner në aktivitet në futbollin tonë të lexojë një literaturë të kohës dhe atë ta përshtasë menjeherë në skuadrën ku drejton në periudha kohe të limituara. E thënë më troç, pjesa më e madhe e këtyre bankinave mbetet “rob” i gazetave sportive, të cilat kanë më shumë informacion nga mediat e tjera. Duke lexuar vetëm gazetën, mediokriteti është këmbëkryq mbi skuadrën, prandaj edhe niveli ynë mbetet gjithmonë në një stanjacion që futbollin po e mban “me frena dore”.

Sa i pyesin

Nga kontaktet me shumë trajnerë të Superiores, por edhe me specialistë të ndryshëm të futbollit, është mësuar se në mbi 60% formacionin e bën presidenti i skuadrës, apo edhe kryetari i bashkisë! Kjo është shumë e saktë dhe kujt trajner i djeg, ndoshta mundet edhe t’i japim më konkretisht ndeshjen, formacionin e presidentit të tij, dhe rezultatin ndryshe nga sa mundet të arrihej. Pra, në të tilla situata trajnerët dalin si “manikinë” që vetëm në stërvitje janë të parët me skuadrën, ndërsa në vendimmarrjet e tjera janë vetëm zbatues të porosive nga lart. Edhe pse kjo formë nuk ekziston në disa ekipe, duke qënë prezente në pjesën më të madhe të tyre, ajo vret shumë. Sepse edhe ato fakte që janë mësuar, kanë dalë nga stafet drejtuese të skuadrave, nga shokët dhe miqtë e presidentëve dhe të trajnerëve, të cilët herë me ironi dhe herë me keqardhje, tregojnë se sa i doli rezultati presidentit në ndeshjen kur ai e bëri formacionin e skuadrës. Prandaj themi se po bëjnë bllofin në skuadrat që drejtojnë disa trajnerë të kësaj “prerjeje”.
Pse s’flasin

Kur shkarkohen trajnerët në Kategorinë Superiore, ose do mërmërritin nëpër dhëmbë ndonjë shprehje që askujt nuk i vlen, ose shfajësohen duke thënë se e kanë bërë punën e tyre. Por që të dalë sikur edhe njëri dhe të demaskojë ato fakte pas kuintave, askujt nuk ia mban. “ǒmë duhet të flas, nesër do të jem përsëri treg i atij presidenti”,-kjo është ligjërata e drejtë e dalë sezonin e kaluar nga goja e një ish-trajneri të shkarkuar, i cili pas një jave u gjend si fitimtar në një skuadër tjetër, po të Superiores. Por frika e mosfoljes shkon deri aty, sepse pjesa më e madhe e trajnerëve në Superiore nuk kanë kontrata të rregullta me presidentët e skuadrave, duke punuar më shumë në të zezë. Prandaj, duke qënë ata informalë, edhe prodhimtaria e tyre do të jetë në këtë situatë, gjë që po e shohim nga sezoni në sezon.

Përfundimi

Asnjë trajner shqiptar nuk ka bërë qytetarinë që, kur ka dështuar në një skuadër të deklarojë fajësinë e tij profesionale dhe dëmin që i ka shkaktuar skuadrës dhe drejtuesit që ka shpenzuar milionat, përjashtuar kroatin Daliç pas dorëheqies së tij nga drejtimi i Dinamos ditë më parë. Se të thuash vetëm se “...jap dorëheqien e parevokueshme”, kjo nuk është bindëse edhe për një maturant që luan futboll. Sepse edhe dorëheqia e ka një shkak që duhet bërë publik, dhe që së pari duhet të jetë profesional, më pas financiar apo moral.

Shoqata

Vetëm nëpër Asambletë e FSHF-së mund të mësosh se ka edhe një Shoqatë trajnerësh, ku një përfaqësues i tyre ka një votë të plotë në zgjedhjen e forumeve drejtuese të institucionit të futbollit tonë. Por asnjëherë nuk kemi parë e lexuar që kjo shoqatë të verë “gishtin mbi këtë plagë”, qoftë edhe për të justifikuar atashimin e saj në FSHF. Nga ky fakt del qartë se informaliteti me këtë pjesë të rëndësishme të futbollit tonë është vertikal, nga lart, poshtë. Inekzistenca me ose pa qëllim e shoqatës në fjalë, nisur nga pasione të çastit apo edhe arësye të tjera, nuk duket se kanë lidhje me atë futboll që mediatikisht predikojnë trajnerët tanë.

E kështu, duke sjellë në kujtesë disa tregues prej të cilëve futbolli ynë është duke vuajtur nga “fenomeni trajner”, mbetemi në pritje se kur dhe si do të përmirësohet kjo situatë. Që këtë do të duhet ta vendosin vetë ata që informalitetin e mbajnë mbi shpatullat e tyre, kjo mbetet në mes të rrugës. Por që nuk duhet heshtur në këtë treg, do të thotë se kujtesa duhet të rithirret në skenë nga aktorë të tjerë, realisht vendimtarë në futbollin tonë.

Trajnerët e Superiores
SEZONI 2008 - 2009

DINAMO           

Zlatko Daliç (Jep dorëheqien në javën e 19-të).

PARTIZANI       

Hasan Lika (Jep dorëheqien në javën e 8-të). Në javën e 9-të caktohet Shpëtim Duro.

BESA                

Iljaz Haxhiaj (Jep dorëheqien në javën e 3-të). Në javën e 4-t caktohet Ilir Daja.

ELBASANI                 

Mirel Josa (Bordi Drejtues e shkarkon pas javës së 19-të). Në javën e 20-të vjen Faruk Sejdini

SHKUMBINI     

Gugash Magani

TIRANA             

Blazh Slishkoviç (Jep dorëheqien në javën e 14-të). Në javën e 15-të vjen Agustin Kola.

VLLAZNIA        

Agim Canaj

FLAMURTARI  

Slavko Kovaçiç (Jep dorëheqien në javën e 9-të). Në javën e 10-të vjen Edmond Liçaj. Në javën e 18-të largohet duke akuzuar për shitjen e ndeshjes me Apoloninë, në javën e 19-të vjen Eqerem Memushi.

TEUTA              

Sulejman Starova

BYLIS               

Faruk Sejdini (Jep dorëheqien në javën e 3-të). Në  javën e 4-t skuadrën e drejtoi Dashnor Dume. Në javën e 5-të vjen  Hysen Dedja.

APOLONIA       

Gerti Haxhiu (Jep dorëheqien në javën e 9-të). Në javën e 10-të vjen serbi Esad Karishik.

LUSHNJA         

Artan Bano (Jep dorëheqien në javën e 1-rë). Në javën e dytë caktohet Saimir Malko (Jep dorëheqien në javën e 8-të). Në javën e 9-të caktohet Vasil Bici (Largohet në javën e 17-të, në janar 2009 shkon drejtor i sporteve në MTKRS). Vjen Ilir Gjyla në javën e 18-të.

NË 12 SKUADRAT NË TËRËSI KANË DREJTUAR 23 TRAJNERË

Nuk i kanë ndryshuar trajnerët

1.      Vllaznia

2.      Shkumbini

3.      Teuta

I kanë ndryshuar trajnerët

1. Partizani              2 herë

2. Besa                    2 herë

3. Tirana                  2 herë

4. Apolonia             2 herë

5. Dinamo               1+1 herë

6. Elbasani              1+1 herë

7. Flamurtari           3 herë

8. Bylis                    3 herë

9. Lushnja               4 herë

E Shtune, 07 Shkurt 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›