Trajneri De Biazi flet per ndeshjen me Norvegjine

Në një kohë që flitet për Botërorin, trajneri Xhani De Biazi kërkon të mbajë me këmbë në tokë skuadrën. Trajneri I kombëtares shqiptare e konsideron të rëndësishme ndeshjen kundër Norvegjisë, por jo deçizive për kualfikimin në finalet e Brazil 2014.
“Kur luajtëm përpara disa muajsh në Oslo, askush nuk e mendonte se do të fitonim. Për këtë arsye I ftoj të gjithë të ruajnë qetësinë duke mbështetur skuadrën. Është ndeshje e rëndësishme, por jo deçizive për kualfikimin. Edhe sikur të fitonim, do të ishte pa vlerë nëse nuk do të bënim mirë edhe në katër ndeshjet e tjera të mbetura”, u shpreh De Biazi.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se skuadra nuk do të zbresë në fushë për të fituar.
“Sigurisht që do të zbresim në fushë për të marrë maksimumin. Kam besim te të gjithë futbollistët. Duhet të vazhdojmë ecurinë pozitive që kemi regjistruar në ndeshjet e fundit”, theksoi ai.
De Biazi ka komentuar edhe renditjen e fundit të FIFA-s, ku Shqipëria është ngjitur në vendin e 38-të.
“Mund të them se është një arritje spektakolare. Është një lajm I mirë që karikon skuadrën në prag të ndeshjes kundër Norvegjisë”, nënvizoi trajneri.
Italiani nuk ka bërë publik formacionin, megjithëse ka pohuar se ka vetëm disa dilema të vogla, të cilat tha se do të zgjidhen në seancën e fundit stërvitore.