E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Kombëtares, Maran: Ndihem si në shtëpi në Shqipëri, vendosmërinë dua t’ua transmetoj lojtarëve

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran është shprehur pozitivisht për muajt e parë të tij në Shqipëri, duke veçuar mikpritjen, lidhjen me natyrën dhe vendosmërinë e shqiptarëve si disa prej elementeve që e kanë bërë të ndihet “si në shtëpi”.

Në një intervistë për FSHF, Maran ka rrëfyer aspekte nga jeta e tij e përditshme dhe marrëdhënien me Shqipërinë.

“Duhet të jem i sinqertë! Ndihem si në shtëpi, më keni bërë të ndihem si miku juaj prej kohësh. Për mua kjo është më shumë se një cilësi; është vërtet diçka befasuese”, u shpreh ai.

Maran theksoi see tipari që ka vlerësuar më shumë te shqiptarët është vendosmëria dhe forca me të cilën i bëjnë gjërat, një karakteristikë që dëshiron ta shohë edhe te futbollistët e Kombëtares.

“Është një vlerë shumë e madhe. Dhe është diçka që dua t’ua transmetoj edhe lojtarëve kur të vijnë, sepse kjo është ADN-ja e futbollistit dhe e popullit shqiptar”, tha trajneri kuqezi.

Duke folur për jetën jashtë futbollit, Maran tregoi se e nis ditën herët dhe se gjëja e parë që bën është të dalë në një ambient të hapur. Ai tha se e pëlqen shumë natyrën, shëtitjet, kohën me familjen dhe miqtë, ndërsa në dimër preferon vendet me borë dhe mundësinë për të bërë ski.

Trajneri italian veçoi edhe një prej pjatave shqiptare që i ka pëlqyer më shumë, tavën e dheut, ndërsa tha se nga fjalët shqipe i pëlqen veçanërisht shprehja “avash-avash”, për shkak të mënyrës se si tingëllon.

Maran tha se është ende duke u njohur me Shqipërinë dhe se po përpiqet të mësojë gjithnjë e më shumë për vendin, kulturën dhe mënyrën e jetesës.

“Po studioj për t’u afruar gjithnjë e më shumë me ju. Dalëngadalë po përpiqem të kuptoj, sepse ka shumë gjëra të bukura, shumë aspekte, edhe në territorin tuaj, që më kanë ngjallur vërtet kureshtje”, përfundoi ai.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›