Rama: Hata që një gjyqtar thotë pagat na takojnë se “i kemi mbledhur vetë”

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot për debatin mbi pagat e gjyqtarëve, duke komentuar një deklaratë të gjyqtarit Engert Pëllumbi në një intervistë televizive.
Në një postim në rrjetin social X, Rama shpërndau deklaratën e Pëllumbit, i cili shprehet se “për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”.
Sipas Kryeministrit, një gjykatës nuk mund të flasë kurrë kështu.
Rama theksoi se “historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo ‘i kemi mbledhur vetë’ është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit”.
“Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat! Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?”, u shpreh Kryeministri.
Rama shtoi se edhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3,8 herë më shumë, ose një pagë 280% më të lartë.
“Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë”, shtoi ai.
/m.m/j.p/r.e/