Trajneri italian beson se edhe “merengues” mund të praktikojnë futbollin e këndshëm

Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, beson se tashmë Barcelona dhe Reali i Madridit janë dy skuadra njësoj të forta. “Jo shumë kohë më parë njerëzit mendonin se Barcelona ishte skuadra më e mirë, por tani jo më. Madrilenët janë shumë të fortë”, deklaroi italiani. “Tifozët dhe një pjesë e specialistëve kanë dyshime për (Manuel) Pelegrinin. Megjithatë, ai është një trajner i aftë dhe e di shumë mirë se çfarë po bën. A e keni parë Realin duke luajtur?” 63-vjeçari, që në karrierën e tij ka punuar dy herë në stolin “merengues”, foli edhe për Barçën e Guardiolës: “Pep është një trajner i ri. Ai sjell ide, freski dhe kualitet.
Skuadra e tij sulmon me të gjithë dhe mbron me të gjithë”. Kapelo ka konfirmuar edhe synimin që të grumbullojë Devid Bekam në Botërorin 2010: “Nëse luan mirë, me siguri që do ta marr në Afrikën e Jugut. Unë nuk e shoh moshën e futbollistëve, por vlerësoj kualitetin e tyre. Bekam është një person serioz, një profesionist i vërtetë, i cili dëshiron me patjetër që të jetë pjesë e Anglisë në këtë aktivitet”. Më tej ai foli edhe për punën në krye të “Tre Luanëve” dhe të veçantat e futbollit britanik. “Nuk mendoj se zgjedhja ime nuk lidhej vetëm me paratë. E shoh më shumë si zgjedhje pune dhe për të provuar diçka të re. Në Angli ndihem mirë, Premiershipi është kampionati më interesant dhe më tërheqës në botë. Këtu futbolli përjetohet ndryshe.
Stadiumet janë plot, ka siguri, bukuri dhe nuk sheh probleme si në kampionate të tjera. Po ju marr si shembull Njukasëllin: skuadra zbriti një kategori më poshtë, por tifozët vazhdojnë ta duartrokasin. Edhe tani që luan në çempionship në stadium shkojnë 50 mijë mbështetës”, shtoi “Don Fabio”.
Kapelo flet edhe rreth Zhoze Murinjos: “Nuk e do Italinë? Unë punoj në Angli dhe e dua këtë vend. Interi ka skuadrën më të fortë në Serinë A dhe mendoj se kanë potencialin që të shkojnë larg edhe në Champions. Në janar Eto’o luan në Kupën e Afrikës? Nuk e shoh këtë si diçka problematike, zikaltrit kanë aq shumë lojtarë sa nuk do ta kenë problem zëvendësimin e kamerunasit”.
Një prej temave të diskutuara ishte edhe ajo e brazilianit Diego, që deri më tani ka zhgënjyer me paraqitjet e tij te Juventusi. “Diego është një lojtar i shkëlqyer, vazhdoi tekniku, por duhet të përshtatet me futbollin që luhet në Itali. Për më tepër që nuk është e lehtë të integrohesh në një skuadër, e cila është mësuar gjithmonë të fitojë. Nuk është i pari dhe mendoj se nuk do të jetë lojtari i fundit që ka pasur probleme përshtatjeje në Serinë A”. Në fund Kapelo ka folur edhe për Kasanon: “Nuk e di nëse do të ishte i përshtatshëm për të luajtur në Angli. Ai ka një talent të jashtëzakonshëm, por këtu çdo ndërhyrje është provë force, jo si në Itali apo në Spanjë”.