Drejtori sportiv, Sartori, hedh poshtë spekulimet rreth largimit të sulmuesit
Ashtu si ka ndodhur shpesh gjatë këtyre sezoneve të fundit, sa herë që afrohet merkato e transferimeve, emri i Erjon Bogdanit lakohet me forcë. Edhe tani, kur mungojnë pak ditë nga janari, spekulimet për të ardhmen e sulmuesit janë të shumta. Megjithatë, drejtuesit e Kievos kanë ndërhyrë, duke “blinduar” 32-vjeçarin. Drejtori sportiv i veronezëve, Xhovani Sartori, ka hedhur poshtë çdo mundësi që Bogdani të largohet dhe ka theksuar se ai është një element mjaft i rëndësishëm në skuadrën e Di Karlos. Së fundmi, e ardhmja e kuqeziut që militon me klubin nga Verona është lidhur me Barin dhe Katanian në Serinë A italiane, por edhe me disa skuadra të ndryshme europiane. Sipas mediave përtej Adriatikut, në “pole position” për shërbimet e Bogdanit është Katania: shqiptari është zgjedhja e parë e trajnerit serb të skuadrës siciliane, Sinisha Mihajloviç, i cili kërkon të përforcojë repartin ofensiv. Nga skuadra pritet të largohet shtatlarti Plasmati dhe “Er-Bomber” shihet si zgjidhja ideale. Ideja e tyre ishte që sulmuesi të afrohet në formë huazimi 6-mujor dhe më pas ta mbajnë në skuadër, kur kontrata e tij me Kievon përfundon dhe kuqeziu do të jetë lojtar i lirë. Në situatën e krijuar ka ndërhyrë Sartori, i cili deklaroi: “Bogdani është një sulmues mjaft cilësor dhe te Kievo e vlerësojmë shumë. Kam lexuar dhe dëgjuar shumë fjalë për të ardhmen e tij dhe rreth një largimi të mundshëm nga skuadra jonë. Këto hipoteza janë të gjitha të pabaza: mund t’ju siguroj se lojtari do të qëndrojë në skuadrën tonë. Ai nuk do të transferohet as te Katania dhe as te ndonjë skuadër tjetër në Serinë A”.