E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajnime për shpëtimin e jetës në bregdet, Urgjenca Kombëtare demonstron reagimin në raste emergjente

Në kulmin e sezonit turistik, kur bregdeti mbushet me pushues, çdo minutë ka rëndësi për shpëtimin e një jete. Për këtë arsye, Urgjenca Kombëtare organizoi një demonstrim praktik në plazh, duke simuluar ndërhyrjen në rastet e incidenteve në det dhe procedurat e dhënies së ndihmës së parë. Gjatë demonstrimit, shefi i Urgjencës Kombëtare shpjegoi veprimet që duhet të kryhen në çdo fazë të ndërhyrjes, duke theksuar se zbatimi korrekt i protokolleve dhe koordinimi i ekipeve janë thelbësorë për rritjen e mundësive të mbijetesës.

“E vetmja teknikë që bëhet janë dy gishta te pjesa kockore e mandibulës dhe hiper-ekstensioni i kokës.” – tha Skënder Brataj, shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore.

Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi rëndësinë e ushtrimeve të tilla, duke theksuar se përgatitja e ekipeve të emergjencës duhet të shoqërohet edhe me ndërgjegjësimin e qytetarëve.

“Janë të rëndësishme që këto trajnime të bëhen, këto trajnime të jenë efektive, sepse ndihma e parë shpeshherë jepet edhe nga qytetarët dhe në qoftë se dihet si të jepet, është shumë efektive për të shpëtuar jetë të qytetarëve që janë në nevojë.” – tha Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë.

Autoritetet apelojnë që pushuesit të respektojnë masat e sigurisë në plazh, të lahen vetëm në zonat e mbikëqyrura nga rojet bregdetare dhe të kërkojnë menjëherë ndihmën e shërbimeve të emergjencës në çdo situatë rreziku.

Reagimi i shpejtë dhe dhënia e saktë e ndihmës së parë mbeten faktorët kryesorë për shpëtimin e jetës. Vetëm gjatë muajit qershor u raportuan 6 viktima nga mbytja në ujë, çka nxori në pah rëndësinë e masave parandaluese dhe vrojtimit në çdo plazh.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›