E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajnimi i mësuesve 2026–2028, Kumbaro: Mësimdhënie në hap me epokën digjitale

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se po vijon zbatimi i Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional për mësuesit për periudhën 2026–2028, një nismë që synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përshtatjen e saj me zhvillimet bashkëkohore.

Sipas ministres, çdo fundjavë auditorët e universiteteve në vend po shndërrohen në qendra aktive të shkëmbimit të dijeve dhe inovacionit, ku mësuesit ndjekin me përkushtim sesionet trajnuese.

“Mësuesit po ndjekin me përkushtim sesionet e radhës të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional 2026–2028, si një rrugëtim drejt moduleve të reja që e bëjnë mësimdhënien më dinamike dhe plotësisht në hap me epokën digjitale”, u shpreh Kumbaro.

Ky program synon të pajisë mësuesit me metoda të reja pedagogjike, duke nxitur përdorimin e teknologjisë në procesin mësimor dhe duke rritur ndërveprimin me nxënësit.

Trajnimet përfshijnë module të avancuara që lidhen me inovacionin në arsim, zhvillimin e aftësive digjitale dhe përmirësimin e praktikave të mësimdhënies, duke kontribuar në një sistem arsimor më cilësor dhe më të përshtatur me kërkesat e kohës.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›