Trajtimi mjekësor për fëmijën nga Gaza, Brataj: Angazhim i të gjithë strukturës dhe personelit shëndetësor

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Një fëmijë njëvjeçar nga Gaza është evakuar për të marrë një trajtim mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, sot në një intervistë televizive dha detaje për gjendjen shëndetësore të fëmijës.
“Të gjitha vendet sidomos Komiteti Evropian preokupohen sidomos për fëmijët, sepse nuk është vetëm rasti i trajtimit të tyre, por edhe kur dalin nga reanimacioni duhet të kenë një ndjekje të mëtejshme. Komiteti Europian në bashkëpunim me të gjithë shtetet dhe OBSH ka bërë shpërndarjen e shumë fëmijëve nga Gaza në vende të ndryshme edhe ardhja e këtij qytetari në Shqipëri ishte njëkohësisht me tre shtete të tjera Rumania, Norvegjia dhe një shtet tjetër plus Shqipëria, sepse kërkojnë para kohe duke kombinuar sidomos me ministritë e Shëndetësisë dhe në rastin tonë ishte kërkesa kundrejt ministrisë së Shëndetësisë e cila me strukturat e veta me Urgjencën Kombëtare, me Spitalin “Nënë Tereza” bën të mundur dhe vunë në dispozicion gjithë personelin dhe strukturën për të ndjekur këtë fëmijë i cili kishte kaluar në një gjendje shumë kritike, kishte qenë i intubuar, kishte pasur komplikacione postintubimi dhe sigurisht që duhet të ndiqet për disa kohë se mund të ketë përkeqësime”, tha Brataj.
Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Shqipëria bëri pjesë në grupin e vendeve të kontaktuara nga BE nga mbrojtja civile dhe OBSH që do të jenë të herëpashershme.
“Garantimi i një vendi që do të ndiqej ky fëmijë na vuri në lëvizje të gjithëve. Ajo që mund të them është që fakti që kur fëmijën e çuam tek pediatria tek QSUT pasi u vlerësua dhe asistua ndërsa motra e tij 20 vjeç dhe vëllai tre vjeç shkuan tek qendra e refugjatëve thanë që është e pamundur që të qëndrojnë se fëmija ishte i axhituar dhe dridhej nga frika dhe priste nga një moment në tjetrin plasjen e bombave, pra nuk e kishin idenë se ku po ndodheshin dhe mund të ndodhte nga një moment në tjetrin, kështu që pjesë e luftës patjetër kanë qenë edhe vajza që ishte 20 vjeçe ishte e trembur, aq sa u preferua që babi të bashkohej me dy fëmijët”, cilësoi Brataj.
/r.e/a.f/