E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, KQZ: Mbi 27 300 regjistrime, 8523 kërkesa të miratuara

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë do të kenë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar prej disa ditësh dhe sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 27 385.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kërkesat për regjistrim janë 27 385 deri sot në orën (22:00), ndërsa janë miratuar 8523 kërkesa.

Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 18 118 (66,2%) kërkesa, ndërsa femrat janë 9267 (33,8%).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 8326 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 7570 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 5013 dhe mbi 56 vjeç janë 3699 kërkesa për regjistrim.

Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 2777 të tilla. Sipas të dhënave janë refuzuar 4740 kërkesa.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 8455, e ndjekur nga Greqia me 6409, Gjermania me 4205, si dhe nga SHBA me 2465.

Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 6087, më pas bashkia e Fierit me 4580, Korça me 3031, Durrësi me 2328 etj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›