E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Burgjet: U ndoqën procedurat ligjore

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi sot në lidhje me transferimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit.

Sipas, Drejtorisë së Burgjeve, transferimi i Veliajt është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Drejtoria e Burgjeve sqaroi se i paraburgosuri pas transferimit në IEVP Fier, iu nënshtrua procedurave standarde të pranimit, në përputhje me ligjin dhe Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, teksa shtoi se më 28 tetor 2026, ai u vendos në seksionin e observimit dhe u trajtua në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

“Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Më tej Drejtoria e Burgjeve nënvizoi se “sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij”.

“Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E. V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Më tej, Drejtoria e Burgjeve sqaron se “urdhri i transferimit për çdo arsye të përligjur nxirret nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Vlerësimi dhe vendimmarrja për transferimin përfshihen në kompetencën dhe diskrecionin administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm, si praktikë normale pune e ushtruar brenda kushteve dhe kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit të administruar”.

“Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve prej datës 16.10.2026 deri më datë 27.10.2026  janë kryer 24 transferime brenda kuadrit ligjor”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›