E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimi i fitimeve

2012 ishte një nga vitet më të vështira për biznesin shqiptar. Sipas Ministrisë së Financave, fitimet vjetore të ndërmarrjeve u tkurrën me 14.5 për qind, një nga rëniet më të mëdha historike.

Përkeqësimi i treguesve financiar të kompanive është rezultat i rënies së shitjeve dhe ngadalësimit të ekonomisë në tërësi. Por jo të gjitha bizneset janë prekur nga kjo tendencë. Për një pjesë të tyre, veçanërisht ndërmarrjet e huaja që bëjnë biznes në Shqipëri 2012-a nuk ka qenë aspak vit i keq, përkundrazi. Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet dhe dividentët që bizneset e huaja transferuan jashtë vitin e kaluar u rritën me mbi 40 për qind duke arritur në 264.3 milionë euro.

Shumica e tyre janë në sektorët më fitimprurës, si industria bankare dhe telekomunikacionet, ndërsa të tjerë operojnë kryesisht në tregje monopol përmes privatizimeve apo koncesioneve. Sërish kjo shifër përmban vetëm fitimet e transferuara në vendet e origjinës, pa përfshirë pjesën që këto kompani kanë riinvestuar për të zgjeruar biznesin e tyre në Shqipëri.

Transferimi masiv i fitimeve është një fenomen i ri në ekonominë shqiptare. Në vitin 2007, gjithë fitimi që bizneset e huaja transferuan ishte vetëm 56.5 milionë euro. Një vit më vonë shifra u rrit me 5 herë. Kursi i këmbimit filloi të lëkundej dhe brenda pak kohësh për shkak edhe të krizës leku u zhvlerësua me mbi 15 për qind ndaj euros.

Që pas 2008-ës fitimet e nxjerra jashtë kanë qëndruar në rendin e 2.5 deri në 4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Rekordi historik është ai i vitit 2009, ku shifra arriti plot 400 milionë euro. Një vit më vonë Qeveria u detyrua të dilte në tregun ndërkombëtar, për të marrë borxh tregtar në euro dhe një nga arsyet e këtij vendimi ishte pikërisht mungesa e valutës në ekonomi. Ekspertët thonë se ka dy arsye kryesore se pse fitimet e dala jashtë janë rritur fort katër vitet e fundit. Së pari një pjesë e investimeve të huaja që janë realizuar vitet e mëparshme janë në fazën e vjeljes së fitimeve. Ndërsa arsyeja e dytë lidhet me situatën ekonomike, ku për shkak të rënies së fuqisë blerëse, bizneset janë më shumë të prirura të mbajnë fitime se sa të investojnë.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›