E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi për 2 milionë Euro. Kaiserslautern ndjek Elis Bakajn

Kaiserslautern është vënë në ndjekje të futbollistit shqiptar Elis Bakajn. Lajmi është publikuar nga disa portale gjermane, që i referohen burimeve nga klubi gjerman i Bundesligës 1. Kaisersluatern, me të cilin në kaluarën kanë luajtur si mesfushori Ervin Skela (2005-2006, 34 ndeshje/4 gola), ashtu dhe sulmuesi Igli Tare (1999-2000, 26 ndeshje/4 gola), është në kërkim të mesfushorëve sulmues. Sipas medieve gjermane, kostoja e transferimit mund të shkojë deri në dy milionë euro. Shqiptari 24-vjeçar vlerësohet për fleksibilitetin e tij dhe paraqitjet e tij të pëlqyeshme me Kombëtaren (15 ndeshje).

Bakaj u transferua gjatë janarit të këtij viti nga Dinamo e Tiranës te Dinamo e Bukureshtit, dhe një transferim tjetër mund të duket i vështirë. Gjithsesi, në çdo rast, Kaiserslautern duhet të paguajë dy milionë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit 1.75 metra.

Elis Bakaj, prej katër vjetësh është anëtar i rregullt i ekipit Kombëtares A; ndërkohë që fantazisti i Dinamos së Bukureshtit ka luajtur me përfaqësueset e të gjitha moshave, nga ajo U-17 e deri te U-21. Ish-lojtari i Partizanit u transferua te Dinamo e Tiranës për 100 mijë euro, ndërkohë që blutë e shitën te simotra e Bukureshtit, për shumën e 250 mijë eurove. “E kam fituar një titull në Shqipëri me Dinamon, tani e dua me Dinamon tjetër në Rumani”.

Futbollisti Elis Bakaj mban një rekord të veçantë në Shqipëri. Ai është lojtari më i mirë në moshë, i aktivizuar në një ndeshje ndërkombëtare. Vetëm 16 vjeç e 5 ditë, në ndeshjen Partizani-Makabi Netanjau, Kupa Intertoto 2003. Bakaj vazhdon edhe sot e kësaj dite të mbajë rekordin si lojtari më i shtrenjtë në tregun shqiptar të transferimeve. Dinamo e Tiranës i pagoi 100 mijë euro Partizanit, në janar të vitit 2008, për të blerë kartonin e tij. Futbollisti i rritur në akademinë e moshave të Partizanit dhe i pjekur të Dinamo, ka fituar dy herë rresht çmimin si lojtari i vitit në Shqipëri (2009, 2010), një trofe që jepet nga Federata Shqiptare e Futbollit, por ai pati një debutim të hidhur me kombëtaren.

Edhe pse ishte thirrur shpesh nga Oto Bariç, për të qenë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares, Elis Bakaj debutoi në humbjen 6-1 të Shqipërinë me Rumaninë, më 21 nëntor 2007, një ndeshje për kualifikueset e Euro 2008-s. Elis Bakaj është shqiptari i radhës që aktivizohet në Rumani. Në kampionatin rumun kanë luajtur disa lojtarë shqiptarë, duke filluar me Sulejman Demolloranin, Arben Minga, Perlat Mustën, Agim Canaj, Ilir Bozhiqi, Bozhiqin, Arben Kokalarin, Blendi Nallbanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›